“Vjeshta letrare e Gjilanit” kësaj radhe vjen me edicionin e tetë të saj. Në këtë angazhim kulturor që nga fillimi e këndej, jeta kulturore ka arritur të identifikohet, jo vetëm me fjalën e bukur artistike në vjeshtën e Gjilanit, ajo vjen e zhvillohet bashkë me njerëzit e saj dhe ka shtrirje të gjerë, me të gjithë ata që bashkëjetojnë me fjalën artistike në tërë hapësirën shqiptare.
Nexhat Rexha
Gjilani dhe Ars Clubi “ Beqir Musliu”, ka arritur të krijojë e ruaj në veprimtarinë e vetë nivelin elitar të botimit të veprave artistike. Nga viti në vit botimi i veprave ka ngritjet e vlerës artistike, në kontekstin e krijimit dhe të ruajtjes së profilit artistik e botues, që nuk përcakton individin dhe vendin se nga vjen autori. Qëllimi dhe krijimi i ardhjes së shkrimtarëve ka shtrirjen e unifikimit sa më të qëndrueshëm artistik.
Ne veprimtarinë e botimeve nga më të ndryshmet, vijnë edhe autorë me prurje të reja artistike ,vijnë edhe autorë me krijime fillestare, duke krijuar mundësinë e përkrahjeve e nxitjeve të reja. Këto vepra që po botohen në vazhdimësi në Shtëpinë Botuese “ Beqir Musliu”, nuk përcaktojnë moshën e shkrimtarit ,ato përcaktojnë vlerën artistike.
Kështu botimi i veprave ka karakter të ngritjes dhe zhvillimit të kulturës si dhe të ruajtjes së traditës që krijuan para nesh shkrimtarët e Gjilanit, si: Ali Huruglica, Beqir Musliu, Ibrahim Kadriu, Musa Ramadani, Rexhep Elmazi, Mirko Gashi e shumë të tjerë qe me emrin e veprat e tyre arrijnë të portretizojnë pamje nga të gjitha kohët për Gjilanin e trevën e Anamoravës e më gjerë.
Kultura dhe e ardhmja e një kombi krijon mundësinë për njohje e depërtime të reja në ngritjen e shoqërisë njerëzore.Po kultura shqiptare sot, gjendet në një udhëtim të mundimshëm,sepse si në të gjitha sferat e jetës shoqërore, kur nuk peshohet vlera , vështirësitë e artit mjegullohen me antivlera. Kështu, edhe më tej njeriu i vlerave estetike sakrifikon në ruajtjen e vlerës artistike e njerëzore.
Në këtë korealcion të kultivimit, e në ruajtjen e sfondit për të pasqyruar identitetin e krenarin e Gjilani, ky nëntor dhe shumë të tjerë bashkë me Vjeshtën letrare po rikthejnë pamjet që i mungonin qytetit me figurat kombëtare. E kjo vjeshtë po reflekton bukur me përmendoren në ardhje të Idriz Seferit. Në këtë vjeshtë botimet tona gjithnjë kanë ngritje, ato po vijnë edhe me vepra të reja, e bashkë me to edhe Agmia me numrin 20 e 21 të saj.
Fjala e bukur artistike bashkëjeton e bashkudhëton me Gjilanin e me Vjeshtën letrare të saj, në këtë proces të bashkëveprimit lidhen hallka të reja në letrat shqipe.
Në edicionin e tetë botues vijnë vepra për lexuesin shqiptar dhe atë të huaj në shqyrtimet e mendimit kritik për veprën e Dr. Anton Berishës “ Prushi i Bukurisë”& “Një përmendore poetike për artin e fjalës”, nën përkujdesjen e Albana Aliut dhe Labinot Berishës. Vepër që përmbushë kriteret e nivelit artistik në përmasën e studiuesve edhe përtej kufijve të atdheut tonë. Në këtë vepër parashtrohen studimet e disa autorëve italianë dhe të atyre nga të gjitha trevat shqiptare ku frymon fjala shqipe.
Të shtojmë se vepra poetike “Prushi i Bukurisë “ është përkthyer më parë edhe në gjuhën italiane. Në këtë vepër dhe të tjera është skalitur pena e profesor Anton Nikë Berishës.
Pastaj vijnë autorë e vepra të tjera.
Ramadan Mehmeti, shkrimtar i spikatur dhe i palodhur, i pranishëm në letërsi përmbi pesë dekada, autor i afro dyzet veprave letrare të zhanreve të ndryshme, këtë herë,përmes 92 prozave poetike të përmbledhura nën titullin” Plagë shpirti”, shpërfaq botën e tij të brendshme si kurrë më parë. Mjeshtër i rryer i kësaj poezie prozaike, ai dëshmohet me një shprehje të zgjedhur e të kursyer, me një figuracion të dendur artistik, po edhe me porosi se, dashuria është epiqendra e kësaj bote e, edhe njeriut të saj.
Libri në bashkautorësi Blerim e Naxhije Gashani “Vjeshtë e ngrime”, vjen si prodhim i kujtesës e lutjeve për një kohë të dhembjeve e tmerrit të Kosovës. Vepra në brendi të saj ka shfaqje të skenave të dhembshme, të cilat edhe pas sa viteve sikur artikulojnë krismat e tmerrit të quajtur luftë.
Sakrifica për këtë liri bashkë me përjetimet e Blerimit e Naxhijes, artikulojnë pamjet e një kohe absurde. Në faqet e librit, e nëpër vargje si dhe në rrjedhën e fjalës prozaike vijnë e fishkëllejnë fishekzjarret e kujtimeve tragjike,kurse përjetimet nostalgjike për gjakun e lirisë, sikur i eklipson përditshmëria e vendit tonë.
Libri “ Vjeshtë e ngrime “ , është ndër librat e rrallë që duke lexuar atë, ajo të bënë për vete, lotin ta ngrin në të gjitha faqet e shkruara, ajo vjen bashkë me vjeshtën e trishtimin të njerëzve të kësaj lufte.
Parashtrimet poetike në librin e Ahmet Osmanit“Posa të ringjallen feniksët”, krijojnë e ruajnë elementin artistik në kontinuitet të vëllimeve paraprake. Vargjet e këtij vëllimi kanë sforcim në figuracionin e kërkimit për të shpalosur kohët nëpër të cilat kalojnë fatet e njerëzve tanë.
Pritja për ringjalljen e dashurisë për fjalën e bukur, lirinë e atdheut janë pika që lidhin vargjet e ruajnë në vazhdimësi kërkimet e autorit për realizim sa më të avancuar të brendisë së vargjeve brenda kopertonave.
Ahmet Osmani, meqë jeton e vepron ne Zvicër,domosdo malli dhe dashuria për atdheun krijon frymëmarrjen e kursyer, për dukuritë e pamjet e rrugëve të kryeqytetit, edhe atëherë kur ato nuk i pëlqejnë. Ai çmallet me ëndrrat e dashurinë në kërkim të feniksit.
Botimet e këtij viti vijnë edhe me të vepra të autorëve të rinj, e në këtë bashkudhëtim radhitet edhe vëllimi poetik i Bleona Sylejmanit” Dhimbjet do të ikin një ditë”, shtjellimi dhe brendësia e librit krijon fillimin e mbarë në depërtime të arritshmërisë artistike.
Bleona përkundër moshës së re që ka ajo, në libër ka arritur të shkrijë talentin dhe të shpalos dashurinë e saj në kërkim të muzës poetike. Libri ngërthen në vete dëshirën për një realitet më të favorshëm .E kaluara dhe e sotmja lidhin kohët, e bashkë me këto kohë,ditët janë ato që numërojnë dhembjet e njerëzve, me të cilët komunikon jeta në vargjet e Bleonës.
Begatia e këtij viti, përkundër varfërisë ekonomike të Ars Clubit “ Beqir Musliu”,tejkalon e mund kohën e pa dëshiruar financiare dhe kështu arrijmë në Vjeshtën letrare me dy numra të revistës Agmia. Në faqet e numrit 2o të revistës, janë botuar shkrimet e shpërblyera,si ato të Konkursit anonim të “Flakës së Janarit”, poezi kushtuar figurës së Idriz Seferit , poezi të lexuara në Orën e madhe letrare të Flakës ,si dhe kronika e Manifestimit Kombëtar të Kulturës” Flaka e janarit” 2017.
Kurse numri 21 i revistës letrare-kulturore “Agmia” i kushtohet fituesit të sivjetmë të çmimit letrar tanimë tradicionale me emrin e shkrimtarit gjilanas Beqir Musliu, çmim të cilin ndan Kuvendi Komunal i Gjilanit, e që sivjet fitues i këtij çmimi është shkrimtari Ramadan Musliu. Në faqet këtij numri janë botuar: vlerësimi i jurisë për ndarjen e këtij çmimi ,vlerësim për veprën letrare të Ramadan Musliut, si dhe poezi e shkrime tjera nga fituesi e këtij çmimi letrar.
Si përfundim
Vjeshta letrare e Gjilanit po vepron e bashkudhëton në kushte e rrethana më shumë të vullnetit të mirë ,se sa të mbështetjeve financiare që do duhej të kishte. Edhe kështu, fjala e lirë artistike në të gjitha variantet e saj i jep gjallëri bibliotekës së re të qytetit si dhe të gjithë atyre që e ndjenë , i japin kuptim qytetit e kulturës sonë në përgjithësi, duke ruajtur me kujdesin më të çmuar emblemën e vlerës dhe të fjalës së lirë artistike.