Në kuadër të aktiviteteve për nder të 5 Majit-Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Vitisë, sot pos homazheve në varrezat e dëshmorëve në Viti, është mbajtur nga Kuvendi Komuna i kësaj komune edhe një seancë solemne.
Gjithashtu për nder të kësaj dite, në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, është mbajtur edhe akademia përkujtimore për nder të 29 dëshmorëve vitias të cilët kanë rënë për lirinë e vendit si dhe është hapur ekspozita me temën “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeu”.
Naim Pira, Kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë, në seancën solemne për nder të 5 Majit- Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Vitisë ndër tjerash tha se populli shqiptarë krenohet me veprën e dëshmorëve.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrifica sublime e shumë të rinjve dhe të rejave anembanë Kosovës bëri që sot çdo qytetar i komunës sonë të përkulet me nderin dhe respektin më të madh pranë tyre dhe familjeve të tyre. Kujtimi për dëshmorët që vendosën themelet e shtetit tonë na bënë neve jo vetëm krenar por edhe të përgjegjshëm për vlerat e lirisë dhe demokracisë së shtetit tonë ”, u shpreh kryesuesi Pira.
Kurse Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka folur mbi sakrificën e dëshmorëve për lirinë e vendit.
“Duke mbajtur në mendje guximin e trimave tanë, duke kujtuar rrugëtimin më shumë sakrifica drejtë shtetësisë dhe duke mbajtur në mendje veprën madhore dhe hyjnore të atyre që lanë familjet mbrapa dhe u dolën plumbave para për të realizuar ëndrrën e tyre dhe të popullit, ne sot kujtojmë të gjithë ata që mbi vete morën epitetin më të lartë për tu bërë dëshmorë të kombit” u shpreh Kryetari Haliti duke shtruar pyetjen se a ka epitet më sublim dhe a vepër më hyjnore, se ti përgjigjesh thirrjes së atdheut dhe popullit për shpëtim.
Në emër të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Dega në Viti, ka folur Qemaj Rexhepi i cili ndër tjerash potencoi se në këtë ditë nuk jepen ngushëllime por duhet të urohet pasi që sipas tij dëshmorët e rënë për liri nuk vdesin.
Avdyl Bajrami nga OVL- UÇK, dega në Viti, ka paraqitur nga një biografi të shkurtë për 29 dëshmorët e rënë të kësaj komune. Kurse më pas është mbajtur edhe një manifestim, ku para të pranishmëve është paraqitur me një program të pasur A.K.V “Kemajl Azizi” nga Viti. N
dërkaq gjatë ditës së sotme të pranishmit kanë vizituar edhe ekspozitën me temën “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeu”.