/2L ONLINE/ – Debati me personat me nevoja të veçanta, ka përmbyllur edhe ciklin e parë të dëgjimeve publike për planifikimin e buxhetit komunal, me që rast gjatë këtij muaji janë zhvilluar 24 takime nëpër fshatra dhe kategori të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë edhe pensionistët, grupet e grave, fermerët, OJQ-të, udhëheqësit e shkollave etj.
Në debatin e sotëm dhe të fundit publik, me personat me nevoja të veçanta, zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, foli për rëndësinë e buxhetit, si dhe kalimin nëpër procedura, shqyrtimi e deri tek miratimi. Pasi ka përmendur angazhimet e Institucioneve komunale për të përkrahur këtë kategori, ka thënë se rol të rëndësishëm luajnë edhe takimet me qytetarë, ku nga dora e parë njihen me problemet dhe nevojat që kanë ata.
Ndërsa drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik Ibrahim Rama, ka theksuar se komuna e Vitisë do të ketë një buxhet prej 10 milion e 19 mijë euro , prej të cilave 89 % janë grande qeveritare dhe 11% të hyra vetanake . Personat me nevoja të veçanta, para Institucioneve komunale kanë parashtruar disa kërkesa të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e pozitës së tyre.
Sipas tyre, si kërkesë kryesore është funksionalizimi i Zyrës së Hendikosit, rritja e fondeve për organizatat që punojnë në terren me personat me nevoja të veçanta, rritja e fondeve për trajnime, dhënia në shfrytëzim e parkingut në qytetin e Vitisë për shoqatat me nevoja të veçanta, si dhe themelimi i degëve të shoqatave të cilat merren me këtë kategori, qa aktualisht funksionojnë nëpërmjet degës në Gjilan.
Hasan Aliu, duke iu përgjigjur kërkesave të personave me nevoja të veçanta, ka premtuar se komuna do të përkushtohet që në bazë të mundësive që ka, këto kërkesa ti përfshijë në buxhetin e vitit të ardhshëm. /2L ONLINE/