Me aktivitete të ndryshme letrare e sportive, që nga dje ka filluar shënimi i Ditës së Dëshmorëve të komunës së Vitisë, për të vazhduar edhe sot më një seancë solemne dhe homazhe tek varrezat e dëshmorëve.
Dëshmorët e kësaj komune u përkujtuan dhe u nderuan nga përfaqësuesit e Institucioneve Komunale të Vitisë, deputet të Parlamentit të Kosovës, FSK-së, policisë së Kosovës, partive politike, organizata e dala nga lufta e UÇK-së, familjarëve të dëshmoreve, bashkësive fetare dhe shumë të tjerë.
Fillimisht u mbajt një seancë solemne në drejtimin e kryesuesit të Kuvendit Bekim Azizi, e cila nisi me një minutë heshtje në shenjë nderimi për dëshmorët e rënë, e ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
“Jemi tubuar në ketë seance solemne për të shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë se re, 5 Majin ditën e Dëshmoreve te Komunës sonë. Sot nderojmë luftën e lavdishme të UÇK-së, nderojmë komandantin legjendar Adem Jasharin dhe familjen e tij si dhe heroizmin e dëshmorëve dhe martirëve të komunës sonë te cilët me gjakun e njomë te tyre vunë themelet e shtetit te ri”, u shpreh ndër të tjerash kryesuesi i Kuvendit Bekim Azizi.
Ai po ashtu theksoi se mundi i madh e sakrifica për çlirimin e vendit, tregon se Liria ka emër. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera jonë fisnike e rezistenca jonë sublime. Ideali i dëshmorëve për çlirim dhe liri, është histori që shndritë përjetë. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
Në fjalën e tij, zv.kryetar i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, theksoi se sakrifica sublime e dëshmorëve të kombit qëndron e shenjtë në themelet e lirisë. Pa luftën e tyre për liri, ne nuk do ta kishim shtetin tonë e as pavarësinë.
“Është obligim institucional t’i nderojmë e t’i kujtojmë të rënët për liri. Ata kanë rënë në të kaluarën por nuk janë pjesë e së shkuarës, por janë shumë aktualë e të tillë do të mbesin edhe në të ardhmen. Jemi në këtë seancë solemne, për nderë të 5 Majit, për të kujtuar dëshmorët e lirisë nga komuna jonë, që janë institucioni më i nderuar dhe i krenarisë kombëtare.”, tha zv.kryetari Aliu.
Ai po ashtu theksoi se ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se na duhet punë dhe sakrificë për t’u bërë ballë sfidave në përmbushje të synimeve tona. Vendit tonë duhet t’i krijojmë një të ardhme të qëndrueshme, një Kosovë stabile që do të mbetet rrëfim suksesi i përbashkët i yni dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe një vlerë e shtuar për aleatët tanë strategjikë, përfundoi ai.
Ndërkaq Abdyl Bajrami nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Viti, foli mbi përpjekjet e popullit shqiptarë për liri në etapat e ndryshme të historisë. Pas seancës, udhëheqësit komunal, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve e përfaqësues të subjekteve politike e institucioneve të tjera, kanë bërë homazhe e kanë vendosur kurora lulesh tek varrezat e dëshmorëve në Viti. /2LONLINE/