Vitia më nuk ka raste aktive me Covid-19, ka bërë me dije, Sokol Haliti kryetar i Komunës së Vitisë.
“Pas një pune të palodhshme, herë-herë titanike, më në fund po marrim frymë pak më lirshëm. Kënaqësi të kuptojmë se janë shëruar dy pacientët e fundit me COVID-19, kështu që Komuna e Vitisë, nuk ka më asnjë rast aktiv”, ka thënë Haliti.
Ai tha se shprehin vlerësimin më të lartë për përkushtimin e madh të personelit shëndetësor, në krye me Dr. Vjollca Kadolli, të Policisë së Kosovës, Inspektoratit Komunal, Kuvendit Komunal, Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, institucioneve komunale, subjekteve politike, zjarrfikësve, organizatave humanitare e donatorëve, bizneseve, mërgimtarëve, mediave, shoqërisë civile, bashkësive fetare, këshillave të fshatrave si dhe të gjithë qytetarëve, pa dallim.
“Ndonëse ka disa ditë që nuk kemi raste tê reja, u bëjmë thirrje për kujdes, sidomos në bartje të maskës dhe në mbajtjen e distancës, në mënyrë që të kthehemi në normalitet. Pandemia akoma nuk është zhdukur, prandaj ta ruajmë këtë situatë të qetë. Në anën tjetër, procesi i vaksinimit po vazhdon në Viti, me termine të caktuara, paraprakisht”, ka thënë Sokol Haliti, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti. /2LONLINE.com/