Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, ka mbajtur sot një konferencë për medie rreth masave të reja për menaxhimin e situatës të përballjes me koronavirusin.
“Para 15 dite prezantuam masat të cilat erdhën si rezultat i rritjes së numrit të infektimeve. Masat ishin më të rënda sepse gjendja ishte më e rënduar, por falë bashkëpunimit tuaj kemi bërë të mundur që mesataren e infektimeve ditore ta sjellim nga 27% sa e kishim para disa javëve në 3%. Për herë të parë për tri ditë radhazi numri i të shëruarve tejkalon numrin e të infektuarve. Ky është një progres i rëndësishëm dhe si rezultat sot jemi në gjendje që të lehtësojmë pak masat”, ka thënë Vitia.
Sipas tij me masat e reja po synohet të çlirojnë ekonominë duke synuar edhe mbrojtjen e shëndetit edhe të ekonomisë. Por sikur çdo masë që kemi marrë deri më tash, edhe suksesi i masave të reja varët vetëm nga bashkëpunimi i qytetarëve.
Hapjen e ekonomisë dhe heqjen e kufizimeve ta bëjmë në faza.
Faza e parë fillon me 4 maj dhe planifikohet të vazhdojë deri më 18 maj. Gjatë kësaj periudhe:
· Zgjerohet orari i lirisë së lëvizjes nga 1.5 në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite.
· Hapen këto pjesë të ekonomisë; ndërtimtaria dhe patundshmëria; tregtia e automjeteve (pjesërisht); tregtia me pakicë (pjesërisht); riparimi i artikujve personal dhe i orendive; zyrat e konsulencës (me lista të stafit esencial).
· Orari dhe lista e veprimtarive të lejuara do të publikohen menjëherë pas konferencës.
Faza e dytë planifikohet të filloj me 18 maj dhe vazhdon deri më 01 qershor planifikohet të lirohen masat por varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike.
Por, keni parasysh që kalimi nga faza e parë në të dytën dhe kthimi potencial nga faza e dytë në të parën varet nga të gjithë ne. Nëse nuk kemi rritje të rasteve dhe respektojmë me përpikëri udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe qeveritare atëherë do të ecim përpara, por nëse relaksohemi dhe infektimet fillojnë me shpejtësi, atëherë do të kthehemi prapa.
Masat e reja do të jenë në përputhje me normalitetin e ri.
Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari tha se sektorëve të ekonomisë do të hapet gradualisht.
Ajo tha se është duke u punuar në hartimin e pakos së dytë fiskale pas pandemisë së COVID-19, që do të jetë edhe më efikase.
“Synimi është që ta hapim ekonominë gradualisht, për shkak se jemi të vetëdijshëm se kemi humbje të mëdha ekonomike, duke filluar nga likuiditeti dhe humbja e kontratave të punëtorëve. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur vendet e punës në sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë, atë të tregtisë me pakicë që janë mbyllur. Tani jemi duke punuar edhe për pakon e dytë e fiskale. Jam shumë pozitive që për shumë humbje që kemi, kemi edhe shumë shpresë. Falënderojmë bizneset që kanë respektuar masat”, tha Hajdari.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se gjatë këtyre ditëve është punuar me MEPTINIS dhe MSH që të gjenden zgjidhje të cilat do të lehtësonin veprimtarinë e bizneseve të cilat janë goditur nga pandemia Covid-19, duke ruatur në të njëjtën kohë kujdesin për shëndetin e qytetarëve të vendit.
Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së tha se edhe pse do të ketë disa lehtësime që në fazën e parë të planit, vlen të theksohet se shumica e masave do të mbeten në fuqi, të paktën deri më 18 maj.
“Të dashur qytetarë, ju lutem shumë për durimin, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm në respektimin e këtyre masave, duke përfshirë:
– Ndalimi i vizitave familjare dhe takimeve shoqërore
– Ndalimi i grumbullimit të dy apo më shumë personave
– Ndalimi i shfrytëzimit të automjeteve përveç me leje të veçantë apo në raste emergjente shëndetësore
– Ndalimi i pjesëmarrjes në dasma, ahengje, ceremoni mortore, përveç familjarëve të ngushtë.
– Mbajtja e distancës prej dy metrash nga persona të tjerë
“Sidomos pas fillimit të lehtësimit gradual të masave, na duhet bashkëpunimi jo vetëm i shumicës së qytetarëve por të gjithëve bashkë. Kjo është e nevojshme për të siguruar se epidemia të mos shpërthehet sërish”, tha ai.