Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka marrë pjesë në lansimin e projektit “Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë” (SEEK) nga Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Millennium Foundation Kosovo (MFK).
Përndryshe projekti “SEEK” synon të ofrojë stimuj financiarë dhe teknik për sektorin residencial që mundësojnë investime në masat e efiçencës së energjisë, si dhe të mbështesë gratë ndërmarrëse në energji dhe sektorë të tjerë.
Në fokus të intervenimeve të projektit “SEEK” – Retrofitet për efiçiencë në amvisëri (HER); dhe Retrofitet për efiçiencë në banesa kolektive (AER) do të jetë ofrimi i subvencioneve për sektorin rezidencial për të investuar në masa të efiçiencës që reduktojnë konsumin e energjisë elektrike, si dhe për të ndikuar në ndryshimin e shprehive sa i përket konsumit të energjisë.
Gjithashtu pritet që kjo të mundësoj edhe ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe të sektorit privat në sektorin e efiçiencës së energjisë.
Ndërkaq Projekti i Grave Ndërmarrëse në Energji (WEE) do të fokusohet në aktivitetet që adresojnë vështirësitë e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë, qoftë si punonjëse apo sipërmarrëse, si dhe të inkurajojë gratë në ndërmarrësi përmes granteve dhe asistencës teknike.
Ndërkaq pas këtij takimi Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti potencoi se kjo komunë do të jetë komuna e parë përfituese në Kosovë e projekteve të Millennium Challenge Corporation (MCC).