Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një adresim përpara gazetarëve, u ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të 26-vjeçarit nga Gjilani, që vdiq në Qendrën e Studentëve dhe ka kërkuar nga organet e hetuesisë që të zbardhet rasti, derisa ka thënë se Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës do të ushtrojnë të gjitha përgjegjësisë institucionale dhe do të zbardhet në hollësi çdo gjë që lidhet me këtë rast.
“Kurrë nuk do të kisha dashur, jo veç unë, po asnjë mjek e asnjë politikan nuk do të ishte dashur të fliste për një ngjarje të rëndë e tragjike, si ajo që ndodhi dje, kur humbi jetën i riu nga Gjilani. Ai kishte mbërritur në karantinë 24 orë para ngjarjes tragjike, pasi është kthyer nga Gjermania ku kishte shkuar për të ndjekur studimet.Kjo fatkeqësi na ka prekur të gjithë ne anëtarëve të stafit në Ministri dhe stafin mjekësor. Ngjarja pikëlluese më ka prekur shumë thellë edhe mua personalisht”, ka thënë Vitia.
Ai shtoi se u bënë rreth dy muaj me këtë atmosferë pandemie dhe kërcënimi prej virusit. Ka një kohë të gjatë me trysninë e masave mbi jetët tona, mbi përditshmërinë tonë. Një kohë e gjatë me kufizimin e lëvizjes, të punës dhe me detyrimin e mbylljes. Nuk është as qetësuese dhe as e lehtë mbyllja. Por, masat kanë qenë të detyrueshme, e i kemi ndërmarrë si në të gjitha vendet e tjera, duke u bazuar në kërkesat e specialistëve të fushës, Organizatës Botërore të Shëndetësisë me të vetmin qëllim mbrojtjen e qytetarëve tanë.
“Dje kur po ndërtonim raportin mbi të dhënat pozitive që po vinin ditët e fundit nga Instituti u njoftua për këtë ngjarje tronditëse. Ne, si institucion, sot nuk mund t’i lejojmë vetes të flasim për gjëra të pavërtetuara, dhe nuk mund të paragjykojmë asnjë element të rastit. Por, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale. Dhe se do të zbardhet në detaje çdo e dhënë që lidhet me rastin. Prej aranzhimit të udhëtimit nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, pritjes e vizitës mjekësore në Aeroport dhe shoqërimit në Qendrën e Studentëve. Pra, duke filluar prej Ambasadës së Kosovës në Berlin e deri te stafi administrues i Qendrës së Studentëve”, ka thënë Vitia.
Ai i ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit të vendosë në prioritetet e saj hetimin e plotë të rastit.
“Çdo supozim i parakohshëm që ne mund të bëjmë tani, do të ishte mungesë përgjegjësie, do të ishte shtim i dhimbjes për familjen”, ka thënë ministri Vitia.
Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i MSh -së, Naim Bardiqi ka shpjeguar procedurat rreth vendosjes së personave në karantinë. Me këto rregulla, ai tha se janë njoftuar edhe përfaqësuesit e Kosovës në Ambasada dhe konsullata.
Sipas, rekomandimeve të IKSHPK-së, ka shpjeguar ai, për vetëizolim 14 ditë të personave që paraqiten në pikat kufitare me rekomandim të ekipit mjekësor në kufi, në bazë të dokumentacionit mjekësor të këtyre personave rekomandohen:
1. Personat me probleme shëndetësore duke përfshirë edhe sëmundjet kronike;
2. Personat e moshës mbi 70 vjeç (viti 1950 )
3. Fëmijët nën 18 vjeç që janë pa shoqërim të prindërve;
4. Profesionistët që do të jenë në shërbim të parandalimit dhe luftimit të
COVID-19 (mjek, polic, dhe pjesëtar të FSK-së).
5. Personave që hyjnë në RKS dhe do të jenë përcjellës për varrime të familjarëve të tyre.
Këtyre personave, që rekomandohen për izolim për të parandaluar COVID-19 duhet t’u shpjegohet protokolli i izolimit dhe kushtet e rrethanat e qëndrimit në karantinë shtëpiake 14 ditë dhe të njëjtit nënshkruajnë një deklaratë nën betim për respektim të rregullave të vetizolimit.