Komuna e Vitisë në bashkëpunim me organizatën IKC, kanë shpërndarë sot rreth 13 mijë e 500 kg farë të patates,, për 28 kultivuesit nga fshati Debelldeh i Vitisë.
Me këtë rast zv.kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu ndër tjerash bëri me dije se kjo komunë do të realizoj edhe shumë projekte të tjera që do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik.
“Në këto 4-5 vite të fundit kemi dhënë shumë subvencione, kemi mbështetur fermerët tanë në format e ndryshme por në rastin e sotëm i kemi kushtuar një vëmendje pjesës rurale ku 28 banorët e fshatit Debelldeh janë përfitues të farës së patates. Ju bëjmë me dije se do të vazhdojmë edhe me subvencionime të tjera gjatë këtij viti me kusht që të realizohet projekti i kryetarit Haliti si sektorë të veçantë të zhvillimit ekonomik, pra të bujqësisë”, u shpreh Aliu.
Kurse Ekrem Bajrami, Drejtor i Organizatës IKC tha se për të është kënaqësi të jetë në komunën e Vitisë, pasi që sipas tij në këtë vend po ju jepet një hapësirë dhe kontribut të madh zhvillimit të bujqësisë.
Ai shtoi se ata në bashkëpunim me këtë komunë kanë për qëllim që të krijojnë edhe një brend të posaçëm për pataten e Debelldehut.
Ndërkaq, Veton Ademi, Drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural potencoi se fshati Debelldeh është i njohur për prodhimin e patates cilësore në Kosovë dhe për këtë arsyeje kjo komunë ka vendosur që të përkrah këta fermerë.
Ademi tha se kjo drejtori do të vazhdoj të përkrah kultivuesit e patates dhe bëri me dije se kjo komunë do të organizoj edhe Ditën e Patates me qëllim të promovimit të kësaj kulture bujqësore.