Sot, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti, me një aktivitet simbolik ka shënuar Ditën Evropiane të Drejtave të Pacientit.
Me këtë rast mjekët familjarë të QKMF-së në Viti dhe QMF në Pozheran me pacientët e rastit kanë biseduar rreth përzgjedhjes së mjekut familjar, konkretisht pra synimit që Ministria e Shëndetësisë po planifikon ta arrij së shpejti në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, është biseduar për të drejtat e pacientëve si dhe përgjegjësive apo obligimeve që ata kanë brenda institucioneve shëndetësore .
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe udhëheqësit e shëndetësisë në Viti, Merrushe Ahmeti dhe Dr.Vjollca Kadolli-Halili, përpos urimit për këtë ditë, u zotuan që fokusi tyre është dhe do të mbetet pacienti dhe mirëqenia e tij, si dhe do të mundohen që në vazhdimësi të rrisin kualitetin e shërbimeve shëndetësore për pacientët.
Përndryshe, 18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, në respektimin e të drejtave bazë të pacientëve.
Të drejtat bazë të pacientëve të njohura ndërkombëtarisht afirmojnë dhe garantojnë ushtrim efektiv të tyre nga individët për mjekësinë parandaluese, qasjen në shërbime, informacionin, pëlqimin, zgjedhjen e lirë, jetën private dhe konfidencialitetin, respektin për kohën e pacientëve, të drejtën për t’u ankuar dhe për të marrë dëmshpërblim. /2LONLINE/