Sot Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenjes Sociale në Viti, konkretisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti ka shënuar Ditën Botërore të Kancerit me një ligjëratë nga dr.Aid Shefkiu-mjek në QKMF -Viti.
Dr.Shefkiu tha që Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit është 4 shkurti, dhe ka filluar të shënohet nga viti 2000 në Samitin Botëror Kundër Kancerit të mbajtur në Paris dhe është e vetmja iniciativë, ku të gjithë mund të bashkohen në luftën kundër epidemisë globale të kancerit.
Kanceri është shkaktari i dytë i vdekshmërisë në mbarë botën. Së bashku ne mund ta ndryshojmë atë dhe besojmë se po të veprojmë sot, mund të arrijmë objektivin botëror duke zvogëluar me 25% vdekjet e parakohshme nga kanceri dhe sëmundjet jo të transmetueshme.
Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit është një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin e luftës kundër kancerit, si dhe për të treguar se zgjidhjet nuk janë të pamundura.
Ato ekzistojnë gjatë gjithë periudhës së kancerit dhe janë brenda mundësive tona 9.6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga kanceri-ky numër parashikohet të dyfishohet në vitin 2030.
70% e vdekjeve nga kanceri ndodh në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Vendet me të ardhura të ulëta kanë më pak se 30% të shërbimeve shëndetësore për trajtimin e kancerit, krahasuar me 90% të shërbimeve shëndetësore që kanë vendet me të ardhura të larta.
Përafërsisht 3.7 milionë jetë mund të shpëtohen çdo vit nëpërmjet strategjive të duhura të parandalimit, kapjes së hershme, trajtimit në kohë dhe cilësor të kancerit.