Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vënë sot gurthemelin e qëndrës kulturore Kult Qendra në Gjilan, e cila kap vlerën e investimit afro 1.2 milion euro.
“Ky objekt i Kult Qendrës që e filluam sot ka qenë mungesë e kahershme e atyre që merren me sferën e kulturës, për artistët e artdashësit. Është projekt tejet me rëndësi për jetën kulturore në Gjilan sepse e kemi vetëm sallën e teatrit si mundësi të vetme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore”, ka thënë kryetari Hyseni.
Kryetari Hyseni ka bërë të ditur se brenda vitit do të përfundojë objekti, për të vazhduar më pas me inventarizimin.
“Në objektin që do ta ndërtojmë tash në vlerë prej 1.2 milionë euro, përveç hapësirës alternative për teatrin e qytetit me rreth 180 ulëse e me hapësira të veçanta për persona me nevoja të veçanta, është menduar që të krijohet edhe kinemaja e qytetit, ndërkohë që galeria e qytetit do të zhvendoset këtu në një hapësirë prej 400 metra katrorë”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për përkrahjen e madhe për këtë projekt, i cili po bëhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndryshe, projekti vizual i Kult Qendrës është publikuar për qytetarët nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, para dhjetë ditësh. /2LONLINE/