Është vënë gurthemeli i aneksit të garazheve për Njësinë Profesionale të Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit, si dhe zyrave të Qendrës Operative Emergjente Rajonale, QOER-112.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, i Komunës së Gjilanit, Bejtullah Osmani, tha se kjo po bëhet për krijimin e kushteve më të mira për këto dy njësi.
Sipas tij ky objekt do ta lehtësoi punën e këtyre shërbimeve profesionale.
“Në të ardhmen planifikohet të ndërtohen edhe dy nënstacione në Zhegër dhe Përlepnicë”, tha Bejtullah Osmani.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, tha se njësia profesionale ka 32 zjarrfikës, derisa kanë të angazhuar edhe 15 zjarrfikës vullnetarë.
Edhe Salih Mustafa, koordinator rajonal për emergjenca në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, falënderoi Komunën e Gjilanit për ndërtimin e këtij aneksi.
“Kjo godinë do të na krijon kushte më të mira pune. Deri tash kjo qendër i ka ndërruar zyrat në nëntë lokacione dhe ky do të bëhet i dhjeti”, tha Salih Mustafa.
Koordinatori rajonal për emergjenca 112, tregoi se i mbulojnë 11 komuna. /2LONLINE/