VIGANI I BRISHTË I KOSOVËS … vjen në Gjilan…si libër!
I botuar në Francë qysh në vitin 1998, në vlugun e luftës për çlirimin e Kosovës, nga autorët Jean Yves Carlen, Steve Dushene dhe Joel Erhart, libri analitik për Ibrahim Rugovën dhe rezistencën e tij të padhunshme për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, me 23 vite vonesë, vjen dhe në gjuhën shqipe, falë Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.
VIGANI I BRISHTË I KOSOVËS, pati ndikim të mjaftueshëm në qarqet franceze për senzibilizimin e publikut frances rreth çështjes së Kosovës dhe luftës së saj për liri e shtet në vete.
Personaliteti i presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, si dhe në shtetet tjera të Perëndimit, edhe në Francë , jo veç çmohej por edhe respektohej, madje edhe nga nivelet më të larta shtetërore franceze.
Autorët në fjalë, të cilët identifikoheshin dhe angazhoheshin përmes shoqatës “Kosova asamble”, me veprimtaritë e tyre të parreshtura, veçmas gjatë viteve 1996 – 1999, dhanë kontribut të çmueshëm për një Kosovë të re dhe demokratike, madje edhe përmes këtij botimi, i përkthyer shqip në mënyrë solide nga Elvi Sidheri, si dhe me një parathënie meritore nga prof dr. Anton Nikë Berisha,
Opinioni kosovar e më gjerë, përmes këtij libri analitik , ka rastin t’i thellojë edhe më tej njohuritë e veta se sa shumë pati ndikim kjo lëvizje paqësore e shqiptarëve të Kosovës, në përpjekjet e tyre për liri, pavarësi e demokraci, që shkurt e shqip identifikohej përmes emrit të Ibrahim Rugovës… madje edhe të mburret.
24 Shtator 2021
Sabit Rrustemi