Pasi janë prezantuar shfaqjet pjesëmarrëse në Festivalin e Dramës “Talia e Flakës 2022”, juria e festivalit, në përbërje Elmaze Nura, regjisore, Arianit Krasniqi, dramaturg e Shkurtë Aliu, regjisore, me vendim unanim ka vendosur që teksti dramatik i Mehmet Krajës, “Aroma e Hënës” të shpallet më i miri, kurse shfaqja më e mirë – “Viganët” prodhim i Teatrit të Gjilanit.
Juria e festivalit të dramës Shqipe “Talia e Flakës 2022” ka bërë prezantimin e rezultateve të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2022”. Sipas jurisë shfaqja më e mirë ka qenë ajo e trupës teatrale të Teatrit të Qytetit të Gjilanit “Viganët”.
Çmimi kryesor për Dramën Origjinale Shqipe, i cili sipas organizatorit është çmimi kryesor i festivalit, me vendim unanim të jurisë i është ndarë autorit Mehmet Kraja, për tekstin dramatik të shfaqjes “Aroma e Hënës”, ndërsa regjia më e mirë e festivalit i është ndarë regjisorit të shfaqjes nikoqire “Viganët”, Ilir Bokshi.
Aktori më i mirë i festivalit të Dramës “Talia e Flakës 2022” unanimisht nga juria i është akorduar aktorit Adrian Morina për rolin e tij në shfaqjen “Inspektor Limi”, ndërsa çmimi për aktoren më të mirë të këtij edicioni i është ndarë aktores Donikë Ahmeti për rolin e saj në shfaqjen “Aroma e Hënës”.
Në kuadër të festivalit të Dramës “Talia e Flakës 2022” janë dhënë edhe çmimet për rol dytësor në konkurrencën e meshkujve dhe atë të femrave. Çmimin kryesor për rol dytësorë në konkurrencën e meshkujve, juria vlerësuese e festivalit ka vendosur t’ia ndajë aktorit Endrit Ahmetaj, për paraqitjen e tij të veçantë në shfaqjen “Gof” nga Trupa e Teatrit “Metropol” nga Tirana, kurse çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor, sipas kritereve të jurisë e ka fituar Daniela Markaj nga shfaqja “Inspektor Limi”.
Në kuadër të festivalit të edicionit “Talia e Flakës 2022” janë ndarë edhe çmimet për skenografi e kostumografi, si tendencë kontinuele për të stimuluar vazhdimësinë e prezantimeve skenike e skenografike në kontinuitetin e festivalit dhe mbarë manifestimit.
Skenografia më e mirë sipas jurisë ishte ajo e shfaqjes “Viganët”, e cila mbanë “vulën” e dëshmuar tashmë të mjeshtrit të skenografisë Bekim Korça, kurse Vesa Kraja është fituese sipas jurisë vlerësuese për kostumografinë e shfaqjes “Viganët”.
Ndarja e çmimeve të festivalit të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës 2022” ka shënuar fundin e edicionit të këtij viti të festivalit, ndërsa Manifestimi “Flaka e Janarit 2022”, gjatë ditëve të në vijim vazhdon me kalendarin e paraparë me laryshi aktivitetesh kulturore, me ‘Ora e Madhe Letrare’ dhe ndarja e çmimeve për tregim të shkurtë e poezi në konkursin anonim letrar, si dhe me dy koncertet muzikore të ditës së fundit, atë për fëmijë “Xixat e Flakës” dhe festivalin tradicional muzikor “Fest Flaka 2022”. /2LONLINE/