Lëvizja Vetëvendosje, përmes një kumtese thotë se Marrëveshja e 19 prillit dhe negociatat pararendëse tashmë e kanë bërë të dukshëm qëllimin përfundimtar të tyre.
”Marrëveshja e 19 prillit dhe negociatat pararendëse tashmë e kanë bërë të dukshëm qëllimin përfundimtar të tyre. Atë që Lëvizja Vetëvendosje! e kishte bërë të dukshme përmes panos të shfaqur në sallën e Kuvendit kur po miratohej rezoluta për negociatat me Serbinë në tetor të viti 2012 – ajo Rezolutë e fillonte procesin e nënshtrimit politik të Kosovës ndaj Serbisë, nënshtrim ky që mori formë gjatë negociatave dhe u kurorëzua me Marrëveshjen e 19 prillit dhe ratifikimin e saj në Kuvend.
Ky nënshtrim ndaj Serbisë do të kishte i pamundur po të mos nënshtroheshin paraprakisht dhe pafundësisht Hashim Thaçi si kryeministër dhe Isa Mustafa e Ramush Haradinaj si kryetar të partive të opozitës të cilët e ndihmuan Thaçin në këtë proces nënshtrimi. Daçiqit për në Kosovë ja kanë prerë biletën këta të tre.
Ardhja e Daçiqit në Kosovë përbën aktin përfundimtar të një drame të turpshme politike të Thaçit, i cili tash e një vit nuk është marrë me asgjë tjetër përveç me akomodimin e kërkesave të Serbisë në Kosovë. Ai ia krijoi Serbisë Asociacionin autonom territorial, ia formalizoi pushtetin Serbisë përmbi këtë Asociacion përmes legalizimit dhe amnistimit të strukturave ilegale okupuese të saj; ia ndau buxhetin nga paratë publike të Kosovës për ta financuar këtë pushtet të Serbisë; e hoqi emërtimin Republikë dhe stemën institucionale nga dokumentet zyrtare; ia mundësoi Serbisë rritjen artificiale të votuesve pa kurrfarë dokumenti dhe baze ligjore. Dhe për ta përmbyllur ia hapi derën Daçiqit që të vijë në Kosovë për t’i bindur serbët të votojnë për pushtetin e Serbisë.
Duke e ndihmuar Daçiqin Thaçi po e ndihmon veten. Vetëm kështu ai mund t’ia zgjas jetën institucionale vetes dhe pronto klikës së tij. Duke e ndihmuar Thaçin për ta ndihmuar Daçiqin, Mustafa dhe Haradinaj po e ndihmojnë njëkohësisht Daçiqin dhe pushtetin e Thaçit dhe pronto klikës së tij”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.