Organizohet turneu ndëretnik i shahut

“Java ndërkombëtare e njeriut me shkop të bardhë” e cila mbahet në gjithë territorin e Kosovës ka përfunduar në Gjilan, me organizimin e turneut në shah nga Shoqata e të verbërve nën departamentin e Sportit.

Drilon Sylejmani

Gjilan – (2LONLINE) – Me moton, ‘’Te humbasësh shikimin nuk do te thotë te humbasësh vizionin’’, është organizuar Java ndërkombëtare e njeriut me shkop të bardhë, e përkrahur nga Bashkimi Europian. Në vargun e gjithë aktiviteteve të ndryshme kanë zënë vend edhe ato sportive të cilat u organizuan në të gjitha degët e Kosovës. Turneu i shahut ishte ‘’stacionuar’’ në Gjilan për ta përmbyllur këtë kampanjë e cila ishte ndëretnike duke marrë pjesë shahistë të verbër nga të gjitha komunitetet.
Nikoqiri i këti organizimi, Bajram Spahiu nga Shoqata e të verbërve në Gjilan, u nda i kënaqur nga ky eveniment i cili po shërben për afrimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
‘’Pjesëmarrës në këtë turne janë gjithsej 22 garues nga e gjithë Kosova, në mesin e tyre ka erdhe serb, që do të thotë se shoqata u ka krijuar mundësi edhe komunitetit serb që të integrohen në shoqëri’’.

Për të qenë më afër tyre, ishte krijuar komisioni prej tre anëtarëve, Asllan Canoli, Ramadan Jorgic dhe Bujar Rashiti, ndërkohë drejtësinë e tyre dhe ndarjen e qifteve e bëri referi ndërkombëtar i lojës së shaut, Vebi Mujko.

Ndryshe, pos turneut të shahut, Spahiu thekson se janë duke punuar mjaft shumë në avancimin e sportit për të verbëritë.

“Kemi qenë pjesëmarrës në gara ndërkombëtare duke prezantuar shtetitn e Kosovës në lojën e Gollballit (topit me zile). Herën e fundit ishim në Budapest që do të thotë se sporti i të verbërve është në avancim e sipër, por që duhet përkrahje në institucionet relevante edhe pse përkrahja nuk është duke munguar”.

Njëherit, Shoqata e të verbërve në Gjilan, falenderon të gjithë ato biznese private që nuk hezitojnë të ofrojnë ndihmën e tyre për ti mbështetur këto aktivitete.

BOX:
Garat u zhvilluan në sistemin zviceran, nga pesë xhiro, ku fituesi përcaktohet nga numri maksimal i pikëve. Vendi i parë i takoi, Azem Avdiut që u shpërblye me trofe. Ndërkohë, vendi i dytë i takoi Gani Gashit, ndërsa vendi i tretë ishte i rezervuar për Bujar Rushitin.

Integrimi në shoqëri, tregon barazi për të verbëritë

Organizimet për të verbëritë i shohin si mundësia më e mirë për t’i bashkuar komunitetet ndëretnike, gjithashtu me pjesëmarrje tregojnë se edhe ta janë pjesë e shoqërisë.
Kështu u shpreh, nënkryetari i Shoqatës së të verbërve të Kosovës që vjen nga komuniteti serb, Radovan Jakovlevic: ‘’Është hera e dytë që po marrim pjesë në këso lloj turnesh me karakter garues, pasi herën e parë ishim në Brezovicë.

Kemi filluar të integrohemi në shoqëri me  vet faktin që kemi marrë pjesë në zgjedhjet për Federatë. Ku na është mundësuar që ne si komunitet ti kemi dy ulëse në Kuvend të Shoqatës’’.

Po ashtu, Jakovlevic u bën thirrje të gjithë atyre personave që hezitojnë të inkuadrohen në shoqatat e të verbërve, duke u thënë se vetëm me integrimin në shoqëri do të jemi të barabartë. ‘’Jemi tri shoqata serbe për të verbëritë, Mitrovicë, Graqanicë dhe Kufc e Ulët (Gjilan).

U bëj thirrje që të gjithë të verbërve që të mos hezitojnë të na bashkohen, pasi vetem me integrimin në shoqëri do të jemi të barabartë’’.

Aktivitet sportive nuk kanë të ndalur

Organizimet rreth aktiviteteve sportive nuk presin vetëm ‘’Javën ndërkombëtare për të verbërit’’, ato organizohen po thuajse qdo vjet, duke bashkuar të gjithë të verbërit në lojën e sportit.

Kryetari i Federatës Sportive për të verbër, Daut Tishuki, rrëfen edhe për garat tjera që organizon kjo Federatë gjatë vitit.

‘’Me iniciativën e Federatës, kemi organizuar garat e rrugullta qdo vjet, në lojën e shahut dhe Gollballit.

Muaji tjetër shënon fillimin e kampionatit të tetë me rradhës të lojës së Gollballit. Skuadrat e ndara në dy grupe, gjatë sezonit të vjeshtës duhet bëjnë gara për të siguruar një vend në play-offin, që mbahet në pranverë. Katër ekipe nga dy grupet do të kërkojnë biletën për finalen e madhe’’.

Aktualisht, primatin e kampionit e mban Shoqata e të verbërve nga Gjilani.

Sporti është ambasadori më i mirë i një vendi dhe duke u nisur nga ky aspekt, kreu i Federatës tregon për afrimin e komunitetit serb në shoqata.

“Ne si shoqata mendojmë se verbëria na bashkon së bashku me të gjitha komunitetet e ndër ta edhe me ata serb, duke i kaluar së bashku më lehtë sfidat. Organizimi i këto turneve dhe gjithë këtyre organizimeve vjen falë ndihmës së Ministrisë për Rini, Kulturë dhe Sport. Por gjithashtu dua t’i falënderoj edhe mjetet e informimit, sidomos gazetën ‘Sport Plus’ që ka qenë pjesëmarrëse në disa aktivitete dhe ka pasqyruar ngjarjen përmes shkrimeve ditore’.

Për të pasur një përkrahje edhe më të madhe Tishuki fton edhe donatorët që ti përkrahin pasi në mungesë të marketingut po hezitojnë ta bëjnë një gjë të tillë. /2lonline/

KOMENTE