Delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje, i përbërë nga Visar Ymeri, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti, është pritur në takim edhe nga eurodeputetët Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein.
Znj. Tanja Fajon është anëtare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhënie me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, ndërsa z. Knut Fleckenstein është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit Evropian. Të dy bashkë janë përfaqësues të lartë të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian.
Në këtë takim u diskutua procesi zgjedhor në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve dhe formimi i qeverisë së re bazuar mbi këto rezultate. Delegacioni i njohu eurodeputetët me prioritetet e programit qeverisës së Lëvizjes Vetëvendosje! si dhe me faktin që tashmë Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti politik më i votuar në Kosovë me 32 deputetë në Kuvendin e ardhshëm, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Eurodeputetët e përgëzuan delegacionin për këto rezultate duke diskutuar gjithashtu edhe për një bashkëpunim më të afërt dhe më intensiv mes Lëvizjes Vetëvendosje! dhe social-demokratëve të Parlamentit Evropian.
Delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje! do të vazhdojë edhe sot takimet në Bruksel.