Sot, Lëvizja Vetëvendosje mbajti tryezën me titull: Shënimi i kufirit me Malin e Zi – Korrektimi para ratifikimit” për të diskutuar edhe njëherë mbi argumentet dhe veprimet që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës para se marrëveshja të sillet në Kuvend për Ratifikim.
Drejtuesi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca nxorri 7 konkludime që sipas tij do të qartësonin edhe më shumë çështjen aktuale të marrëveshjes për Demarkacionin.
Konkluza e parë kishte të bënte me mandatin e Komisionit paraprak që udhëhiqej nga Murat Meha, duke konstatuar që ky Komision ka bërë delimitim dhe jo demarkim. Pastaj çështja e dytë ka të bëjë me raportin që ka procesi i Demarkacionit me procesin e liberalizimit të vizave.
“Vizat duhet ta kenë kusht liberalizimin e vizave vetëm si parim, mirëpo jo të jetë kusht për liberalizim përmbajtja speficike e marrëveshjes”, tha Glauk Konjufca në këtë pikë. Kushti për viza më shumë është simptomë e gabimit në marrëveshjen e Demarkacionit.
Pika tjetër që shtroi është mënyra se si duhet të procedohet kjo marrëveshje, duke shtuar se së pari duhet të bëhet verifikimi dhe pastaj ratifikimi i kësaj marrëveshje. Nëse ndodh e kundërta atëherë mundësia e korrigjimit vdes.
“Hudhja poshtë e kësaj marrëveshje do të ishte akt sovran dhe që nuk do të sjellte pasoja”, shtoi Konjufca në konkluzën tjetër.
Çështje tjera që ngriti ai ishin edhe argumentet e kontrollit efektiv të kufirit. Ashtu siç ka argumentruar edhe Komisioni i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi se kontrolli i atëhershëm nuk është kontroll ilegal i kufirit, mirëpo në përputhje me rregullimin e atëhershëm kushtetues.
Konkluza tjetër që vuri në pah deputeti Konjufca ishte mbi marrëveshjen Thaçi-Vujanovic, marrëveshje kjo që nuk ka karakter juridik obligative përtej nenit të 7 të marrëveshjes së Kosovës dhe Malit të Zi të vitit 2015.
Teza e fundit ishte konceptimi i marrëveshjes tërësishme të Demarkacionit duke thënë se: “kjo marrëveshje nuk është konceptuar nga aspekti i të vërtetës shkencore, por gjithnjë është intepretuar sipas thjerrës së pushtetit të nënshkruesit”. Një triumf i tillë i këtij versioni do të ishte triumf i gabimit dhe vdekje për shkencën dhe drejtësinë në anën tjetër.
Panelisti tjetër, deputeti Ali Lajçi, foli më shumë për aspektin praktik të implementimit të kësaj marrëveshje dhe tokat të cilat i prek direkt ky version.
“Kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi kanë qenë të definuar që në kohën kur janë caktuar kufijtë mes republikave në ish-Jugosllavi dhe që prej atëherë ato asnjëherë nuk kanë ndryshuar. Ato fillojnë nga Trimegja, Babinopoli, duke zbritur luginave në drejtim të Bogiçave dhe duke shkuar kështu nëpër Qafat e Bogiçave duke dalur kështu në Qafën e Diellit, në Qafën e Qakorrit që më tutje del te Vrançeva që shkon në drejtim të Ludibalit e nëpër Mokna e më pas në pjesën e Stakajve e te Qafa e Dasmorëve dhe zbret në Hajlë. Pas kësaj vija zbret drejt Buxhovit duke vazhduar vija drejt maleve të Kralanit dhe zbret kah Duboviku e që del në Qafën e Kullës në Zhlep. Të gjitha këto janë të verifikushme”, tha në fjalën e tij Ali Lajçi.
Më tutje Lajçi tha se Vetëvendosje vazhdon të qëndrojë kundër kësaj marrëveshjeje dhe bëri thirrje po e njëjta të kthehet mbrapsht.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se aktualisht kemi dy zhvillime positive dhe propozime për gabimin në hapa. Së pari është gatishmëria e Malit të Zi për të biseduar për këtë çështje dhe së dyti, gatishmëria e Thaçit për pranuar gabimin në këtë marrëveshje.
Ndërkaq, në anën tjetër, kemi dy propozime si të shkohet tutje në lidhje më këtë temë. “Së pari duhet të ndodh korrigjimi dhe pastaj ratifikimi”, tha Albin Kurti, si dhe në kriteret që janë vendosur në kemi fillimisht Demarkacionin si kusht e pastaj luftimin e korrupsionit, gjë që duhej të ishte e kundërta. Meqenëse luftimi i korrupsionit është process, ai do të duhej të ishte përmbushur para Demarkaconit, meqenëse ratifikimi i saj do të ishte vetëm akt.
“Ne refuzojmë të gabojmë në hapa sepse refuzojmë të gabojmë”, shtoi Albin Kurti.
Ai poashtu foli edhe për Rezolutën që ishte votuar në Kuvendin e Kosovës, para nënshkrimit të marrëveshjes për Demarkacionin, e cila rezolutë kërkonte që Qeveria të raportojë në Kuvend para nënshkrimit të marrëveshjes.
“Duke pasur parasysh të gjitha këto ne do të duhej të ndiqej një rrugë e re për daljen nga kjo krizë që i ka tashmë mundësitë aty për shkak të këtyre dy zhvillimeve positive”, shtoi më tutje Kurti.
E para, është i domosdoshëm një raport parlamentar për Raportin e Komisionit të z. Bulliqi sepse një i tillë nuk u zhvilluar asnjëherë.
E dyta, duhet një deklaratë e fqinjësisë së mirë me Malin e Zi dhe kërkesë për rishqyrtim të kësaj marrëveshje.
E treta, duhet të zhvillohen kontakte diplomatike ku Kryeministri Haradinaj duhet t’i kumtojë mospajtueshmërin Malit të Zi me metodologjinë e përcaktimit të kufirit dhe të fillojmë më iniciativën e re për një process të ri të demarkimit. Kjo duhet të ndodh sepse dy komisionet kanë pasur misione të ndryshme, Komisioni Meha ka pasur për mision shenjimin e kufirit ndërkaq ai malazez ka pasur për mision kufizimin, përkufizimin e vijës kufitare.
E katërta, duhet të zhvillohet hetim parlamentar për marrëveshjen si dhe gjithë procesin që solli deri te kjo marrëveshje.
Si dhe e fundit, të mbahet një konferencë ndërkombëtare për procesin e Demarkacionit si rast për të shpalosur gjithë të vërtetën.
Anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes, Fitore Pacolli foli për mashtrimin e madh që po ju bëhet qytetarëve në lidhje me liberalizimin e vizave. “Kushtri kryesor vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit. Madje kjo është thënë edhe nga vetë përfaqësuesit e BE-së”, shtoi Fitore Pacolli. Poashtu ajo deklaroi se edhe pas përmbushjes së kushteve shtetet e BE-së votojnë veç e veç për liberalizmin e vizave për një vend.
Profesori Zejnullah Gruda duke shpjeguar argumentet kundër kësaj marrëveshje tha që “Komisioni aktual nuk ka bërë demarkim, por delimitim”. Ai poashtu tha se një votim eventual i këtij projektligji nuk do të mund të rishikohej thelbësisht dhe shtoi se në parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare nuk njihen ratifikimet me kushte, ato ose votohen ose hidhen poshtë. “Një rishikim eventual nuk do të mund të lëvizte më shumë se 500 metra”, shtoi profesor Gruda.