Sot u organizua konferenca me temë “Forca e Sigurisë së Kosovës dhe rregullimet ligjore” në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile e subjekteve politike, ekspertë të çështjes si dhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës, Maqedonia dhe Shqipëria.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visari Ymeri, duke folur për mundësinë e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, tha se Qeveria e Kosovës kishte sjellë edhe në vitin 2014 ndryshimet potenciale të Kushtetutës, por ishte tërhequr vetë nga ato ndryshime, e edhe atëherë këto amendamente u sollën pak para zgjedhjeve.
Ai shprehu shqetësimin se ky ligj iu paraqit kaq befasishëm qytetarëve të Kosovës nga Hashim Thaçi. Kryetari Ymeri shtoi se është skeptik sa i takon sponsorizuesit të këtij ligji, i cili papritmas do ta sjellë në Kuvend këtë ligj pa pasur ndonjë diskutim të gjerë për të.
“Lëvizja Vetëvendosje! mendon se është e domosdoshme që Kosova ta ketë ushtrinë e saj, pasi që një Republikë duhet ta realizojë komponentin e vet të mbrojtjes në mënyrë që garanton sovranitet. Po duket që duhet ta ndjekim një rrugë të shpejtë në mënyrë që ta bëjmë sa më parë Forcën tonë të Armatosur, por duhet të pasur parasysh që ky hap nuk është i mjaftueshëm, duhet të shihet si fillimi i një procesi i cili përfundon me ndërtimin e ushtrisë tërësisht”, tha ndër të tjera Visar Ymeri.
Panelisti tjetër, deputeti Rexhep Selimi, vuri theksin te mangësitë që i ka Projektligji për FSK-në, duke potencuar se janë tre dimensione për t’u diskutuar në lidhje me të.
“Dimensioni i parë ka të bëjë me çështjen bosht të këtij projektligji, me nenin 4 dhe 5, ku parashihet avancimi i misionit dhe detyrave të FSK-së, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës”, tha Selimi, duke sqaruar se Lëvizja Vetëvendosje! në vazhdimësi i ka mbështetur qoftë ndryshimet kushtetuese, qoftë ato ligjore, që e avancojnë misionin ushtarak të FSK-së, siç ka bërë edhe me amendamentet kushtetuese për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës në vitin 2014.
Kurse, në lidhje me dimensionin e dytë, Selimi tha se ai ka të bëjë me strukturën e projektligjit, e cila përcillet me shumë anomali dhe me një mungesë profesionalizmi në hartimin e një projektligji nga ana e sponsorizuesit. “Këto anomali kanë të bëjnë me mos trajtimin juridik e profesional të shumë aspekteve në Projektligj”, shtoi Selimi.
E për dimensionin e tretë, ai konstatoi se ka të bëjë me tendencën e kontrabandimit të disa kompentencave që tentohet t’i jepen Presidentit.
“Nenet që kanë të bëjnë me përdorimin e forcës dhe angazhimin e FSK-së në raste te caktuara do ta bënin të përdorshëm atë edhe në situata të menaxhimit të turmave, varësisht nga vullneti i Presidentit. Kompetencat e parapara me nene te caktuara të fuqisë së presidentit mbi FSK-në kanë për qëllim ta krijojnë një president autoritar që nuk ka të bëjë me një vend demokratik e as me një republikë parlamentare”, deklaroi deputeti Selimi.
Më pas, mori fjalën ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili u shpreh se kjo nismë për krijimin e Forcës së re përmes këtij ligji nuk duhet të bie ndesh me aleatët tanë, SHBA-të, NATO-n dhe BE-në.
Por, në anën tjetër ai tha se krijimi i ushtrisë është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Ngjashëm konstatoi edhe eksperti i sigurisë, Florian Qehaja, i cili tha se themelimi i ushtrisë nuk duhet të lëkund partneritetin me ndërkombëtarët, duke shtuar se në hulumtimet e bëra dalin të dhëna që hedhin poshtë supozimin se shumica e serbëve në Kosovë janë kundër themelimit të ushtrisë.
Ndërsa, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deklaroi se ky projektligj do të duhej të sillej nga Qeveria, dhe kjo çfarë ka ndodhur është lojë për bajraktarizëm. E përfaqësuesit nga Lugina, Ragmi Mustafa e Jonuz Musliu, theksuar domosdoshmërinë e themelimit të ushtrisë, duke potencuar se kjo do t’i bënte të ndiheshin më të sigurt edhe qytetarët nga kjo pjesë. Teksa, Bekim Qoku nga Republika e Maqedonisë, foli në lidhje me organizimin dhe funksionimin e ushtrisë në këtë shtet.
Në fund, pas diskutimeve të shumta, u dhanë përgjigje në tema të caktuara dhe u konkludua se pjesëmarrësit në këtë konferencë e dhanë kontributin e tyre në shërbim të shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizave politikave të mbrojtjes dhe përparimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes