Qeverisja aktuale në Gjilan ka dështuar në shumë sfera, prandaj kjo qeverisje duhet ndërruar sa më shpejt, kështu, sipas organizatorit, është konstatuar nga konkluzionet e nxjerra në debatin e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, e cila ka paraqitur punën e të gjitha dikastereve të qeverisje lokale të Gjilanit dhe ka marrë edhe mendimin e qytetarëve.
Në këtë eveniment kanë marrë pjesë përveç asamblistëve komunal të LVV, po ashtu edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Rajoni i Anamoravës, anëtarë dhe aktivist të LVV, përfaqësues të Shoqërisë Civile, përfaqësues të Komunitetit të Biznesit, përfaqësues të Shoqatave të ndryshme, përfaqësues të medieve të shkruara dhe elektronike dhe qytetarë të rëndomtë komunës së Gjilanit.
Moderatori, Fehmi Sylejmani, njëherësh edhe këshilltar komunal në Asamblenë Komunale të Gjilanit, ka thënë se debati ka për qëllim që të qet në pah zhvillimet në komunë, që e kanë përshkruar këtë qeverisje gjatë këtij njëvjeçari, pastaj nxitja, motivimi dhe respekti për të gjitha grupet e interesit e veçanërisht për vetë qytetarët e Gjilanit si kundër rekomandimet, konkluzionet dhe alternativet e mundshme se si duhet punuar dhe vepruar në të ardhmen e Besa Baftiu, kryetare e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ka thekura se në Gjilan pati premtime, por jo edhe rezultate. Sipas saj, tash e tri vite në Gjilan nuk ka ndryshuar asgjë për të mirë, kurse premtimet dolën të jenë mashtrime. Sipas saj më shumë ikën investitorë se sa që erdhën, nuk ka gra në udhëheqje komunale, nuk u largua lloqi e qytetarët i mbyti bërlloku. Dhe se Gjilani ka nevojë ndryshim.
Nevzad Isufi, shef i këshilltarëve të VV-së në Asamblenë Komunale, në mënyrë të thuktë ka prezantuar një vlerësim të punës së kuvendit dhe qeverisje aktuale duke shtuar se shumë premtime nuk u realizuan si: biblioteka, salla te Haxhajt, Shkolla e Muzikës, shkolla të tjera, terrene sportive, ura, zonat industriale, lumeje Mirusha e Stanishorka, impianti, ndërtesa e administratës, varrezat dhe se ato që u realizuan janë minore në krahasim me ato që nuk u realizuan. Kjo qeveri gjithnjë e më tepër ka ardhur duke e ulur transparencën duke u bërë krejtësisht e mbyllur, si për anëtarët e Kuvendit ashtu edhe për qytetarët. (shembulli i Ekohigjienës).
Krenare Latifi – Kqiku, ka thënë se kthimi i dy drejtorive komunale paraqet problem për buxhetin, Sipas saj pati dështim në kornizat buxhetore, rrugët e përfunduara u riparuan edhe një herë, derisa Arjeta Rexhepi, këshilltare komunale tha se po ngrenë shtat ndërtimet e larta dhe pa leje, ka prona të uzurpuara dhe për to kurrë nuk u mor përgjigje, pastaj pati këmbime selektive të pronave e në Kuvend u bënë shkelje të rregullore të punëve.
Mësuesja Ardhmërie Jakupi, ka pohuar se qeveria lokale nuk qau kokën për arsimin, por u angazhua për rehabilitimin e militantëve. Sipas saj shkollat janë pa mjete të konkretizimit, pati përzgjedhje të nxënësve me zarfe, mbi 30 punëtorë me kontrata në vepër e regjistrime jashtë konkursit publik dhe për të gjitha këto Pisa është dëshmia më e mirë. Sipas mjekes, Mirevete Kurteshi, në Gjilan pati një buxhet të varfër shëndetësor, pati mungesë të inspektorëve sanitarë dhe nuk u ndërtua as edhe një shtëpi për të moshuarit.
Aktori Ramadan Kurti, foli për shumë mangësi në kulturë, që tha se është sektor i politizuar, ka monopole, nuk ka një galeri, organizohen ekspozita pa kurrfarë vlere e nga gjashtë ansamble muzikore sa i ka Gjilani përkrahet vetëm njëri. Ish- futbollisti Nehat Osmani,njëherësh nënkryetari i parë i LVV në Gjilan, ka thënë se në Gjilan u shua drejtoria për Kulturë, Rini e Sporte dhe kultura e sporti u lanë në bisht të listës. Gjilani nuk i shpalli as sportistët më të mirë, kurse nuk u investua as në stadium, ngase dihet se ai është investim i paqëndrueshëm.
Në këtë debat ka zënë vend edhe Lugina e Preshevës, ngase shumë banorë nga kjo anë jetojnë në Gjilan dhe të cilët pa dokumente mbetën as në Kosovë e as në Serbi. Muhamet Rexhepi, ka theksuar se Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është jofunksionale dhe se ajo është hapur vetëm për konsum politik, përkatësisht për marrje votash, gjë që i ka irrituar tejemase ata banorë të kësaj ane.
Këtë debat e ka përshëndet edhe anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Sami Kurteshi si kundër edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Vitia, prof.Sali Salihu, ndërsa deputeti tjetër Ismajl Kurteshi, ka thënë se të gjitha çështjet që janë ngritur në këtë debat nuk janë kritika, veçse janë gjëra reale që kanë ndodh dhe janë të dukshme për secilin qytetarë.
Me komente , vërejtje, shqetësime,brenga dhe ide në këtë debat kanë kontribuar edhe Shaban Terziu, nga shoqëria civile, qytetarët gjilanas Driton Sylejmani, Musli Zymberi, Ridvan Ramadani, Zyrafete Musliu, Agron Brestovcie të tjerë.