Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu nëpërmjet një konference për media ka folur për rezolutën e propozuar në Kuvend e cila do të parandalonte humbjen e paarsyeshme të 53.1 milionë eurove për konsorciumin Bechtel & Enka.
Në rezolutën e cila nuk kaloi në Kuvend, kërkohej anulimi i vendimit të qeverisë për aprovimim e kërkesës të konzorciumit Behtel&Enka, sjellja në Kuvend e dosjes së Studimit të fizibilitetit për ndërtimin e Autostradës R6, kontratën me Bechtel&Enka, pasqyrat e pagesave nga thesari për çdo këst, letërkëmbimin, kërkesat dhe përgjigjet midis Qeverisë dhe Bechtel & Enka për borxhin e pretenduar, raportit të auditit për zbatimin e kësaj kontrate, si dhe kërkonte publikimin në faqet zyrtare të Qeverisë të pjesëve të pasanksionuara të Kontratës dhe dokumenteve të tjera të kësaj autostrade.
Kërkesat e rezolutës ishin tejet të qarta. Ato lidheshin më transparencën, parandalimin e dëmit që i shkaktohet buxhetit të Kosovës si dhe me korrigjimin e shkeljeve ligjore.
”Kjo rezolutë për bindjen tonë ishte një shans i mirë për qeverinë Haradinaj që ta heqte nga vetja barrën e shkeljes duke marrë nje vendim të kundërligjshëm. Madje gjatë debatit kryeministri Haradinaj e deklaroi që Kuvendi të marrë përgjegjesinë dhe të anulohet vendimi. Deputetët e subjektit të të cilit ai është kryetar e votuan kundër”, tha deputeti Aliu gjatë kësaj konference.
Me 53.1 milionë euro mund të bëheshin ndrzshime në sistemin e shëndetësisë, apo të arsimit në Kosovë. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, mund të ndërtoheshin 20 çerdhe, 10 shkolla fillore, 5 shkolla të mesme, 5 qendra të mjekësisë familjare.
Meqenëse, në bazë të informacionit që qarkullonte në Kuvend në ditën e votimit të rezolutës, ende nuk është lidhur ndonjë kontratë në lidhje me vendimin e qeverisë, ka ende kohë që të prandalohet shkelja dhe dëmi duke u anuluar ky vendim.
Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që ta marrin situatën në dorë, të hetojnë dhe të parandalojnë procedimin e mëtejmë të vendimit, duke e anuluar atë dhe duke pamundësuar kontratën mbi atë vendim.
Në rast se është nënshkruar dhe realizuar tanimë kontratë bazuar në këtë vendim të jashtëligjshëm të qeverisë, atëherë organet e drejtësisë duhet të veprojnë drejt hetimit dhe sjelljes para drejtësisë të fajtorëve.
Shteti muk guxon të qëndrojë symbyllur para kësaj shkeljeje. Prandaj organet shtetërore, duhet ta parandalojnë dëmin dhe ato para të shkojnë në destinacione të tjera që Kosova ka aq shumë nevojë.