“Sot, kur është bërë një vit nga revolucioni demokratik në republikën tonë, që largoi partitë e PAN-it nga pushteti dhe i dha shans opozitës të bëjë qeveri”, thanë përfaqësuesit e Vetëvendosjes.
Kjo Lëvizje përmes ish ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufcës, mbajti një konferencë, për siç thanë: për ta kujtuar këtë ngjarje, qeverisjen e mirë të Vetëvendosje -s dhe përmbysjen e vullnetit qytetarë nga ish partneri qeverisës LDK që iu bashkua klubit të vjetër politik.
Haxhiu dhe Konjufca shprehën bindjen se dyfishimi i Vetëvendosje -s ka ndodhur për shkak se qytetarët tashmë kanë humbur iluzionet edhe për LDK-në që për një karrige i shkeli ata dhe të gjitha reformat e mira për shtetin. Ata theksuan se Avdullah Hoti ka një shans të shkëlqyer për t’i ndihmuar vendit, të jap dorëheqje e t’ia lëshoj rrugën popullit të Kosovës që në mënyrë të ligjshme dhe demokratike të vendosin për qeverinë e re.
Albulena Haxhiu tha se zgjedhjet i dhanë goditje të madhe keqqeverisjes dhe koalicioneve të pazareve të vjetra. Me gjithë pengesat që na u vunë përpara, Lëvizja Vetëvendosje bëri gjithçka që ta jetësojmë vullnetin e qytetarëve.
“Gjatë katër muajve qeverisje dëshmuam që në Kosovë është e mundur të qeveriset ndershëm dhe pa hajni e korrupsion, me një përgjegjësi të lartë ndaj parasë publike. Dëshmuam se shteti mund të çlirohet nga kapësit, se ndërmarrjet mund të jenë të pavarura, se institucionet publike mund të jenë në shërbim të qytetarëve. Mbi të gjitha dëshmuam se një qeveri me legjitimitet e me besim nga qytetarët menaxhon suksesshëm një pandemi që doli para nesh papritmas. Ishte Qeveria Kurti ajo që në fokus kishte të mirën e përbashkët dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë, si dhe interesin ekskluziv të Republikës së Kosovës.”
Ky vullnet i shprehur për qeverinë e shpresës dhe ndryshimit u përmbys dhe u shkel për qeverinë e pazarit dhe nënshtrimit, tha Haxhiu, e cila me bindje të plotë u shpreh se punët e mira e të lëna përgjysmë, do t’i vazhdojmë shumë shpejtë ngase kjo qeveri do të bie.
Konjufca i dha tre shembuj se përse qytetarët nuk i besojnë kësaj qeverie të paligjshme.
Rasti i parë që e dëshmon mosbesimin qytetarë ndaj kësaj qeverie ka të bëjë me menaxhimin e pandemisë. Konjufca përmendi zbritjen e rasteve në 0 gjatë qeverisë Kurti dhe rritjen e vazhdueshme të numrave gjatë qeverisë së paligjshme.
Së dyti, sipas Konjufcës qytetarët kanë parë se kjo qeveri e paligjshme i ka zhbërë shumë vendime të mira dhe pozitive që u ndërmorën kur Albin Kurti ishte kryeministër.
“Duke filluar nga përbërja e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, tash po vazhdojnë kompromiset e njëpasnjëshme të Avdullah Hotit me PDK-në, AAK-në dhe NISMA-n. Prej komandat “Fytyrës” deri te zyrtari i zënë me 113 kg drogë, këso njerëz që kanë probleme serioze me ligjin janë vënë nëpër institucione. Ky është dallim shume i madh me qeverinë Kurti”, theksoi Konjufca.
Së treti, ai potencoi se në dialogun me Serbinë kjo qeveri është nënshtruar totalisht, dhe se nuk ka kurrfarë koncepti për mbrojtjen e interesit nacional të Kosovës.
“Kosova ka hequr dorë nga njohjet dhe ka bërë lëshime tejet të rënda në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Ngrirja e procesit të anëtarësimit të Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare është e paprecedentë, sidomos kur bëhet edhe si zotim ndaj Serbisë së Vuçiqit”, u shpreh ai.
Konjufca tha se klubit të vjetër politik i janë harxhuar të gjitha letrat e mashtrimit, përfshirë këtu dhe LDK-në si letra e fundit që për një karrige i shkeli ata dhe të gjitha reformat e mira për shtetin. Qytetarët sipas tij nuk kanë më iluzione të besojnë tek ata, andaj janë bërë me Vetëvendosje -n, siç dëshmojnë hulumtimet e opinionit publik ku ne jemi dyfishuar.
Për fund, Konjufca tha se Avdullah Hoti e ka një shans të shkëlqyer për t’i ndihmuar Kosovës, e ky shans është të jap dorëheqje. Kjo dorëheqje do të ishte për t’ia lëshu rrugën popullit të Kosovës që ata në mënyrë të ligjshme të vendosin për veten e tyre, përfaqësimin dhe qeverinë, sepse vullneti demokratik nuk mund të vidhet.