Sot, në ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media për të folur mbi pamjaftueshmërinë e kësaj Kushtetute dhe shkeljet që po kësaj i kanë bërë zyrtarët dhe institucionet më të larta të vetë shtetit të Kosovës.
Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli në lidhje me vërejtjet dhe mungesat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Në dekadën e parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk kemi se si mos t’i theksojmë pengesat e vazhdueshme të kësaj Kushtetute që ishte kompromis dhe jo shprehje e vullnetit publik e demokratik. Pra në draftimin e Kushtetutës, nuk u respektua parimi i kontraktualizmit, pra që Kushtetuta të ishte një kontratë e përbashkët, që do të shprehte vullnetin e përgjithshëm pra për shkrimin e saj do të duhej të pytej secili! Sepse është akti më i lartë!Por në fakt në Kosovë, Kushtetuta nuk është akti më i lartë sepse mbi të e kemi pasur në vazhdimësi pakon e Ahtisarit!”, tha Albulena Haxhiu.
Ajo gjithashtu foli edhe për pengesat, që një njërën anë dalin nga e drejta e vetos që shpesh duket si diktaturë e pakicës duke theksuar kështu se janë 10 vende të garantuara për përfaqësuesit serb të cilat pastaj pamundësojnë çfarëdo ndryshimi pozitiv, dhe në anën tjetër mungesa e të drejtës për referendum që mbyt demokracinë në vend.
Anëtari i Kryesisë dhe deputeti Sami Kurteshi foli për shkeljet që janë bërë Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga vetë krerët e institucioneve që nga themelimi i saj. Duke filluar nga vetë momenti i miratimit, pa të drejtë diskutimi nga deputetët e Kuvendit, momenti paraqitjes, jo nga Kryesuesi i Kuvendit por nga Kryeministri, atë kohë Thaçi, ishte shkelje më vete si dhe miratimi i Flamurit të Republikës ishte momenti i veçantë tjetër i shkeljes.
Sami Kurteshi foli gjithashtu edhe për shkeljet veç e veç që ka bërë Kuvendi, Presidenti, Qeveria, Kryeministri dhe vetë Gjykata Kushtetuese.
“Madje edhe vetë ata që kanë pasur për mission mbrojtjen e Kushtetutës, si Kryetari i Gjykatës Kushtetues, i KGJK apo i KPK që nuk e kanë shkelur Kushtetën.Në këtë rast nuk po i shtjellojmë rastet e shkeljeve kushtetuese ndaj individëve, të cilat trajtohen në mënyrë të veçantë, që kanë kryesisht të bëjnë me kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të tyre, me rastë të mosrespektimit të parimëve themelore kushtetuese, diskriminimit dhe proporcionalitetit dhe me gjykimin e drejtë”, shtoi Kurteshi.
Ai gjithashtu përmendi marrëveshjet e dëmshme që cenojnë rëndë rendin kushtetues e sovraninitetin e shtetit, përmes marrëveshjes së Zajednicës së komunave serbe dhe marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Dekada e dytë, duhet të jetë angazhim shoqëror për të pasur një Kushtetutë që do të jetë shprehje e vullnetit publik e demokratik. Një Kushtetutë që na kthen sovranitetin, integritetin, ushtrinë, demokracinë, barazinë e drejtësinë, u tha në këtë konferencë.