Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Artanë përmes kryetarit të saj Abdyl Gashi ka parashtruar kallëzim penal ndaj Kryetarit të Komunës së Artanës (Novobërdës), Svetislav Ivanoviq për punësimin e paligjshëm, pa asnjë konkurs publik të bashkëshortes së tij, Vesna Ivanovic, duke e paguar me pagë mujore në shumën prej 555.62 € (bruto).
Lëvizja e akuzon Ivanoviqin për veprën penale të konfliktit të interesit, sipas nenit 424 par.1 të KPRK-së.
Po ashtu, Qendra e Lëvizjes në Artanë e akuzon bashkëshorten e Kryetarit të Artanës edhe për faktin se pothuajse asnjë ditë deri më tani nuk është paraqitur në vendin e saj të punës, duke lënë të mendohet fakti se i pandehuri Svetislav Ivanoviq e ka punësuar bashkëshorten e tij vetëm me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten e tij.
Qendra në Artanë i bën thirrje Prokurorisë Themelore në Gjilan, që në bazë të autorizimeve ligjore, të fillojë hetimin kundër të pandehurit Svetislav Ivanovic, ndaj të njëjtit të ngrejë aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan-Departamenti i Përgjithshëm dhe të kërkojë shpalljen e tij fajtor dhe dënimin e parashikuar nga ligjet përkatëse.