“Sot, me 5 nëntor, u bënë 2 vjet pa aktivistin dhe shokun tonë Astrit Dehari. Për nder të jetës dhe veprës së Astritit sot një delegacion i Lëvizjes i prirë nga Kryetari Albin Kurti së bashku me shumë aktivistë bënë homazhe pranë varrit të tij”, thuhet në një komunkatë të Vetëvendosjes.
‘’Në shtetin e kapur, burgjet janë fronte. Aty na e mbytën Astritin. Dy vjet më vonë ne kemi dhembje, sepse nuk e kemi Astritin dhe sepse nuk e kemi drejtësinë. Kur njeriu i drejtë e për drejtësi mbytet, krimi bëhet i pamatshëm. Ky krim nuk mund të falet sepse nuk mund të harrohet, nuk mund të harrohet sepse nuk mund të falet. Drejtësia për Astritin është liria në Republikë, për qytetarin aktiv, pa të cilën nuk ka republikë dhe as qytetari. Prangat në duart e Astritit dje, sot janë zinxhir i policisë e i prokurorisë, i gjyqësisë e i qeverisë, në duart dhe këmbët e qytetarit. Drejtësia për Astritin në Kosovë është vetë liria për qytetarin në Republikë. Astrit ishte i Lëvizjes, tash ne jemi të tij. Të fuqishëm si asnjëherë tjetër, sepse me një popull që na do si askush tjetër’’, tha Albin Kurti.
Ndërsa Avni Dehari duke i falenderuar të pranishmit tha se pjesëmarrja dhe protesta i bënë ata edhe më të fuqishëm.