Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! Albulena Haxhiu dhe Saranda Bogujevci mbajtën konferencë për media në lidhje me dërgimin, nga ana e Lëvizjes, në Kuvend të draftligjit, që ka në qendër të trajtimit çështjen e gjykimit në mungesë të personave të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.
Albulena Haxhiu foli mbi gjithë këto vite të pasluftës ku ende nuk kanë dalë para drejtësisë kriminelët e regjimit të Millosheviçit, që kryen krime në Kosovë.
Për më keq, jo rrallë, kemi parë që ata të hyjnë të papenguar në Republikën e Kosovës.
“Së fundi në Kuvend u zhvillua debati parlamentar sa i takon çështjes së të pagjeturve nga lufta e fundit. Njëra nga kërkesat e rezolutës së miratuar është hartimi i projektligjit për gjykimin në mungesë të personave të akuzuar për krime lufte në Kosovë dhe ndaj shtetasve të Kosovës. Ne kemi përgatitur draftligjin, që ka në qendër të trajtimit çështjen e gjykimit në mungesë personave të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë,” ‒ tha Albulena Haxhiu.
Ajo po ashtu foli edhe për dështimin e misioneve të huaja në Kosovë, UNMIK-ut dhe EULEX-it, që nuk patën si qëllim shqyrtimin e krimeve të kryera nga shteti i Serbisë në Kosovë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve. Ata më shumë se çdokush kanë qenë në dijeni për hollësi të masakrave, të dhunimeve dhe të mijëra rasteve të dhunës së kriminelëve të ushtrisë e të policisë së Serbisë në Kosovë, por asnjëherë nuk vepruan.
Në anën tjetër, deputetja Saranda Bogujevci foli për mungesën e drejtësisë për familjet që kanë pësuar nga lufta e fundit në Kosovë, ku tash e sa vite ende nuk kanë gjetur drejtësi.
“Ky ligj do t’u japë një formë të drejtësisë këtyre familjeve. Në bazë të përvojës sime personale, sa u përket gjykimeve të krimeve të luftës, por edhe nga studimet që janë bërë nga gjykimet e gjykatave ndërkombëtare kanë dëshmuar, që proceset gjyqësore dhe nxjerrja e një vendimi sa u përket këtyre proceseve është tejet me rëndësi për familjarët. Me këtë ligj do të dokumentohen të gjitha krimet e kryera në Kosovë dhe do të ketë drejtësi për familjarët,” ‒ tha Saranda Bogujevci.
Ky projektligj parasheh dërgimin e 20 neneve të Kodit të Procedurës Penale.
Këto nene nuk do të vlejnë më si dispozita të Kodit të Procedurës Penale në rastet e hetimeve dhe të gjykimeve të krimeve të luftës:
Neni 103 (3) – Parimet e përgjithshme të fazës së hetimeve;
Neni 132 (7) – Marrja e deklaratës në procedurën paraprake;
Neni 151 – Marrja në pyetje e të pandehurit në procedurën paraprake;
Neni 152 ‒ Zbatimi i marrjes në pyetje të të pandehurit në procedurë paraprake;
Neni 153 ‒ E drejta e të pandehurit në përkthim;
Neni 154 ‒ Marrja në pyetje e të pandehurit gjatë deklaratës në procedurë paraprake;
Neni 157 – Pezullimi i hetimit;
Neni 245 – Shqyrtimi fillestar;
Neni 246 – Pranimi i fajësisë;
Neni 248 – Pranimi i fajësisë gjatë shqyrtimit fillestar;
Neni 254 – Shqyrtimi i dytë dhe caktimi i shqyrtimit gjyqësor;
Neni 285 (4) – Caktimi i shqyrtimit gjyqësor;
Neni 307 – Mosparaqitja e të akuzuarit në shqyrtim gjyqësor;
Neni 321 – Prania e personave të thirrur në shqyrtimin gjyqësor dhe vërtetimi i identitetit të të pandehurit;
Neni 322 – Udhëzimet fillestare të gjykatës lidhur me dëshmitarët dhe të dëmtuarit;
Neni 323 – Udhëzimet për të akuzuarin;
Neni 324 – Leximi i aktakuzës;
Neni 325 – Deklarimi i të pandehurit për aktakuzën;
Neni 326 – Pranimi i fajësisë nga i pandehuri në shqyrtimin gjyqësor dhe
Neni 346 – Marrja në pyetje e të akuzuarit.
Kriminelët e luftës, që i shërbyen dhe zbatuan planin e Millosheviçit për vrasjet e dhunimet e shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë duhet të dënohen. Nuk kemi asnjë arsye për të pritur më gjatë për vendosjen e drejtësisë.