Pavarësisht se po i afrohemi dimrit dhe temperaturat kanë rënë në minus, në disa shkolla fillore të Gjilanit, akoma nuk ka ngrohje, thuhet në nj reagim të Vetëvnedosjes, qendra në Gjilan.
Sipas këtij reagimi, në shkollën fillore “Rexhep Elmazi” në lagjen Dheu i Bardhë, ka disa ditë që nxënësit mbajnë mësimin në ambiente të ftohta, si pasojë e mungesës së ngrohjes në këtë shkollë.
“Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan ka mësuar se orari i mësimit në këtë shkollë ditëve të fundit po përfundon në ora 15:30, e jo në ora 17:00 sa do të duhej të zgjaste orari i rregullt mësimor. Krejt kjo si pasojë e mungesës së ngrohjes”, thuhet në reagim.
Po ashtu, mungesë të ngrohjes ka edhe në shkollën fillore “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë, e po ashtu në “shkollën” në Haxhaj, realisht objekti i xhamisë së fshatit nga ku marrin mësimet nxënësit e shkollës fillore “Agim Ramadani”, paralelet në Haxhaj. Banorët e fshatit Haxhaj, në mungesë të intervenimit të institucioneve komunale, janë detyruar nga fondi vetanak të blejnë nxehje për hapësirat e këtij objekti.
Lëvizja Vetëvendosje i përkujton publikut, që pikërisht Komuna e Gjilanit kishte paguar 46 euro për një metër dru, duke mos u përputhur aspak me çmimet reale në treg, ndërsa sot, fëmijët vijojnë mësimet në klasë të ftohta.
Kjo është për tu shqetësuar, prandaj kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të marrin përgjegjësi për këtë.
Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje thotë të ketë mësuar se në shkollën teknike profesionale “Mehmet Isai” ka tym gjithandej shkollës, si rezultat i mosrregullimit të duhur të sistemit të ngrohjes dhe kjo paraqet vështirësi gjatë mbajtjes së mësimit.
Përderisa, në shkollën “Thimi Mitko” dje është ndërprerë mësimi për shkak të kundërmimit të rëndë të kanalizimit. Ky problem në këtë shkollë ekziston qysh moti, dhe ka pasur ankesa të vazhdueshme si nga mësimdhënësit po ashtu edhe nga prindërit për rrezikun që i kanoset fëmijëve nga papastërtia dhe mosfunksionimi i rrjetit të kanalizimit.