Arianit Sadiku, nga Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Gjilan, ka thënë se aktivitetet për të shënuar këtë përvjetor kanë nisur me hapjen e një ekspozitë me fotografi, ku bëhet prezantimi i fushatës “Blej Shqip”, dhe kundër produkteve të Serbisë, si dhe ngjarje e zhvillime të tjera të rëndësishme që lidhen me organizimet dhe aktivitetet e Vetëvendosjes në Gjilan.
“Kemi mbushur pesë të aktivitetit tonë dhe për këto pesë vite kemi bërë një punë të domosdoshme, e cila ka mbrojtur vlerat kombëtare e qytetare të Kosovës dhe rajonit të Anamoravës në veçanti”, ka thënë Sadiku.
Ai tha se për pesë vite rresht jemi ballafaquar me lloj-lloj sfide duke mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe duke ua çelur sytë institucioneve në proceset vendimmarrëse.
Sipas Sadikut, nga aktivitetet kyçe që e kanë dalluar Lëvizjen Vetëvendosje nga të tjerët është lufta e vazhdueshme dhe kundërshtimi i fuqishëm i decentralizimit etnik që nisi me Gjilanin.
“Në të gjitha protestat, demonstratat, debatet e të gjitha grupimeve, ne ishim të pranishëm për ta kundërshtuar decentralizimin si një proces që nuk është për interesin qytetar e ekonomik të Gjilanit, por kompromis për hesapet e Serbisë”, ka thënë Sadiku.
Sipas tij, vetëm në Gjilan janë mbajtur katër demonstrata të mëdha dhe mbi 50 aktivitetet të lidhura me decentralizim dhe ngjarjet e përgjithshme politike.
“Kemi pas takime me qytetarë, të cilët kanë qenë direkt të prekur me decentralizimin dhe kanë qenë takime mjaft konstruktive”, ka thënë Sadiku, duke kujtuar peticionin e banorëve të fshatit Cërnicë, që ishin shprehur për shkëputje nga Komuna e Parteshit, ku Lëvizja Vetëvendosje ishte organizatore. /2lonline/