Rrjetet sociale, si të tilla ofrojnë mundësi të shumta komunikimi, por edhe të shfaqjes së opinioneve nga të gjitha strukturat e shoqërisë, dhe me këtë një lloj shprehjeje të hapur për problemet që e preokupojnë qytetarin. Qytetari, si ai më intelektual por edhe ai me shkollim më të ulët gjejnë mënyrën dhe adresojnë qoftë brenga, ankesa, qoftë edhe kritika ndaj gjërave dhe fenomeneve që atyre u duken brengosëse apo nuk pajtohen me to.
Shkruan: Bekim Thaqi
Sot kemi një varg personash që merren me postime të ndryshme, opinione , blogje por edhe mendime krejt të thjeshta për këtë apo atë proces qoftë ai shoqëror, politik, edukativ/sportiv apo i ndonjë sfere tjetër. Kjo derisa i përmbahemi normave të shkrimit dhe mirësjelljes sjell një shprehi të shprehjes së njerëzve dhe dhënies së mendimit pro apo kundër fenomeneve në shoqërinë tonë. Me këtë kemi hyrë në një fazë të re komunikimi, kur qytetari pa hezitim flet për cilëndo temë, që ai mendon se duhet të shtrohet dhe jep mendime qofshin objektive apo subjektive për tema të ndryshme.
Vetëm 10-15 vite me herët qytetarët kanë hezituar të flasin qoftë edhe në praninë e miqve të tyre apo familjes, dhe kanë pasur një lloj frike apo edhe turpi, se po që se flasin hapur do të keqkuptohen nga këta ose ata individë apo edhe nga vetë familjarët e tyre. Me këtë mund te themi se ka një emancipim të qytetarëve/shoqërisë në këtë aspekt, normalisht përderisa respektohet mendimi i tjetrit dhe nuk përdoren fjalë fyese në shkrime , postime apo edhe komente, ndaj artikujve të ndryshëm që i lexojmë në portalet dhe gazetat tona online/postimeve të ndryshme individuale e që kane një prani të konstante në rrjete sociale.
Në këtë mënyrë inkuadrimi i qytetarit, në dhënien/shprehjen e opinioneve apo mendimeve aty ku ka qasje dhe rrjetin social qe ai/ajo frekuenton, përderisa ka tendencë pozitive dhe nuk tenton që të fyejë dikënd apo përdorë atë vetëm për propagandë dhe militantizëm negativ, doemos sjellë në një vetëdije më të lartë njerëzore, në të kuptuarit më të mirë të rrethanave dhe kushteve në të cilat po jetojmë si individë dhe shoqëri.
Tashmë një qytetar mundet të kritikoje haptazi dukuritë negative, dhe të apelojë për ndonjë çështje të caktuar për debat dhe kjo i bën qytetarët më të sigurt në vete në aspektin se bënë me paraqitë mendimin dhe qëndrimin tënd në publik pa pasur ngurrim dhe frikë.
Normalisht si gjithçka tjetër ka edhe anë negative ku keqpërdoret liria e të shkruarit dhe shprehurit, mirëpo në përgjithësi qytetaret kanë tendencë të ndihen më të lehtësuar dhe më të prirë për të marrë pjesë në debate dhe tema të ndryshme me rëndësi për vendin , kulturën, sportin apo tema tjera në dukje të parëndësishme por që ngjallin kureshtje tek një përqindje e lexuesve apo komentuesve në fb.
Si përfundim rrjetet sociale si mjet shprehjeje/komunikimi mund të ndikojnë direkt në një vetëdije më të lartë të shoqërisë nëse nuk përdoret për cenim e të drejtave të dikujt tjetër.