Në vazhdën e vizitës në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, vizitoi sot familjet e dëshmorëve të UÇK-së, Indrit Cara në Kavajë dhe Tahir Sinani në Tiranë.
Në vazhdën e vizitës në Shqipëri, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, vizitoi sot familjet e dëshmorëve të UÇK-së, Indrit Cara në Kavajë dhe Tahir Sinani në Tiranë, në të cilat, kreut të Kuvendit iu rezervuan pritje të ngrohta nga familjarët e dëshmorëve.
Kryetari Veseli çmoi lart sakrificën e të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët iu përgjigjën thirrjes mobilizuese në luftën për liri.
“Ju, familje të dëshmorëve, jeni pjesë e krenarisë dhe e lirisë së Kosovës, sepse i dhatë asaj bijtë tuaj më të mirë. Kosova u është përherë mirënjohëse të gjithë luftëtarëve nga Shqipëria, të cilët iu bashkuan luftës çlirimtare në Kosovë dhe me kontributin e tyre i dhanë shtysë të madhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për çlirim nga robëria shekullore”, theksoi gjatë këtyre vizitave kryeparlamentari Veseli.
Familjet Cara e Sinani falënderuan përzemërsisht kryetarin e Kuvendit të Kosovës për kujdesin e treguar ndaj tyre dhe përkujtimin për bijtë e tyre të rënë në altarin e lirisë, si në cilësi të bashkëluftëtarit, ashtu edhe të njërit nga drejtuesit kryesorë politikë e institucionalë të Kosovës.
Në kuadër të vizitës në familjen Cara në Kavajë, kryeparlamentari Veseli bëri homazhe dhe vendosi një tufë lulesh pranë varrit të dëshmorit Indrit Cara.
Po sot, kryetari Veseli një tufë lulesh vendosi edhe pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në Tiranë, thuhet në komunikatë.