Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka përshëndetur nisjen e heqjes së murit në Veri të Mitrovicës. Ai në një postim në profili ne tij në FB, ka falënderuar përfaqësuesen e BE-së dhe Ambasadorin e SHBA-së për kontributin e jashtëzakonshëm për zgjidhjen e çështjes që lidhet me murin.
Ja postimi i plotë i Veselit
Mure ndarëse nuk do të ketë në Kosovë. Komunikimi dhe lëvizja e lirë, krahas zhvillimit ekonomik, frymës demokratike dhe shtetit ligjor, do të jenë vendosmëri e institucioneve dhe qytetarëve tanë në shtetin tonë të pavarur, Republikën e Kosovës.
Mitrovica do të jetë qytet i bashkuar dhe i lirë në lëvizje dhe qendër e emancipimit qytetar në Republikën e Kosovës.
Kemi arritur mbrëmë një marrëveshje që respekton ligjet e Kosovës dhe vendimmarrjen institucionale të pushtetit qendror e lokal, si dhe ruan sovranitetin tonë territorial.
Falënderoj Përfaqësuesen e BE-së dhe Ambasadorin e SHBA-së për kontributin e jashtëzakonshëm për zgjidhjen e çështjes që lidhet me murin.
Qytetarët e Mitrovicës dhe të tërë Kosovës duhet të besojnë në shtetin e tyre dhe në rrugëtimin euroatlantik.