Prof. dr. Bahtijar Kryeziu
VEPËR ME IMAZH E IDE TË QARTA POETIKE
(Izet Kallaba: “Frymë atdhe-dashurie” (poezi), botoi ShB “Beqir Musliu”, Gjilan, 2024, f. 127)
Vëllimi me poezi “Frymë atdhe-dashurie” i Izet Kallabës, që për redaktor ka krijuesin e studiuesin e njohur Sabit Rrustemi, ashtu si dhe recensuesit: Nexhat Rexha, tanimë krijues e studiues i përkushtuar dhe profesor Sherafedin Kadriun, i njohur mirë nga artdashësit tanë, është një vepër që ngërthen më vete 98 poezi, të radhitura në 6 sytha: në sythin e parë – 15 poezi; në të dytin – 27; në të tretin – 23; në të katërtin 15; në të pestin 10 dhe në sythin e gjashtë 8 poezi.
Poezitë e faqeve të kësaj përmbledhjeje, përveç cilësisë dhe vlerës poetike që e veçojnë autorin në kuadër të poezisë sonë bashkëkohore, në to mund të ndeshim edhe disa veçori mbase të përgjithshme. Fjala është për koincidenca dhe analogji, më tepër të frymës intonative, të vizionit dhe formës së transfigurimit me poezinë e shumë autorëve të tjerë, që nga rilindësit tanë e këtej. Megjithëkëtë, ky aspekt, çështjen e individualitetit dhe të origjinalitetit të shprehjes së autorit nuk e bën të kontestueshme, assesi, mbështetur edhe në titullin e veprës, kur dihet se binomi atdhe dhe dashuri (dy nocione, që kanë ndërmjet tyre lidhje të dyanshme), e të cilat fjalë te të tjerët i ndeshim si një kompozitë: atdhedashuri, pra, dashuri ndaj atdheut…, te Izeti, kujtoj unë, jo rastësisht, këtë kompozitë e ndeshim si një sintagmë: atdhe dhe dashuri, e që, sipas perceptimit tim, kemi të bëjmë me dy nocione që nuk janë një me kompozitën atdhedashuri, por për nostalgji e mallëngjim për atdheun (të shumtat) dhe poezi erotike, disa prej tyre, e ndonjë edhe me motiv tjetër. Titulli i përmbledhjes mund të përligjet me një shembull leksikor tjetër të përdorshëm në mjetet e masmediave tona: grushtshtet dhe grushti i shtetit, që nuk janë një, ngase grushtshteti ka kuptimin e një ngjarjeje që mëton të ndërrojë pushtetin me dhunë, përgatitur fshehurazi nga një grup njerëzish, ndërkaq togfjalëshi grushti i shtetit ka kuptimin e përdorimit të forcës së organeve të rendit të shtetit për shuarjen dhe shpartallimin e atyre që organizojnë puç për përmbysjen e pushtetit.
U ndalëm paksa më tepër te titulli i kësaj përmbledhjeje, ngase titulli i një punimi a i një vepre, duhet të pasqyrojë përmbajtjen e punimit ose të veprës, siç edhe përligjet te përmbledhja “Frymë atdhe – dashurie”, bazuar në poezitë e paraqitura aty.
Vëllimi hapet me poezinë “Në prag të luftës”, në të cilën autori parandien luftën, i bindur se ajo sjell vetëm kob e zi, sjell skëterrë për njerëzimin dhe, i mllefosur pyet:
“Sa lule do t’vyshken pa u dhuruar me hirësi
sa zemra të njoma do treten pa dashuri
nga plumba mizorësh që botën e shohin vetëm nën dry…”
(f. 7),
diçka e njëjtë me disa rreshta të profesor Rexhep Qosjes, thënë për luftën e Korishës së Kosovës, te vepra historike-dokumentare “Tronditja e shekullit”:
Sa ëndrra ka mbetur e paëndërruar në Korishë!
Sa shpresa ka mbetur e pasendërtuar në Korishë!
Sa fjala ka mbetur e pashqiptuar në Korishë! (f. 56)
Izeti temën e luftës e të zisë e trajton edhe te poezitë: “Gjaku i trazuar në shtegtim”, i cili, pasi përmend Bosnjën, thotë se:
“..Të bëmat fam’keqe dhe Kosovën mbuluan
buzë shekullit të ri katrahurat na shkundulluan
(Bonx NY, f. ,
si dhe në disa poezi të tjera, por ai, megjithëkëtë, mbledh forcën e nuk vajton. Beson në lirinë, një përbërës tjetër i atdheut, që do ta gëzojmë, ngase e di se:
“Mjerë kush ngacmon shqiponjën
… në kthetrat e saj
do të stërkeqen eshtra sorrash
për jetë e deri në amshim”
(Post scriptum, f. 9)
dhe lut heroin lirik të kësaj poezie, Feruza Kallabën, të cilën e identifikon me shqiponjën:
“Fluturo shqiponjë qiellit mbi korba të natës
fëmijëve të Kosovës sillu gëzimin e paqes”
(“Fluturo Shqiponjë”, f. 10),
duke mos anashkaluar assesi NATO-n, e cila atëherë solli lirinë e hëpërhë mbështet sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, shprehur përmes titullit të poezisë “Roje të kësaj lirie” (f. 15).
Me frymëmarrje të gjerë e të çiltër, në perceptimin poetik, në veprën e Izetit, zënë vend edhe poezitë me tematikë historike, siç janë: Lumit (f. 12), “Rreth e përqark pellazgjishtes së lashtë” (f. 14) etj. Sakaq, disa poezi të tjera, që shtrihen në faqet pjesës së dytë të veprës, me përmbajtje malli e disponimi elegjiak, janë poezi që për aq sa të bëjnë krenar, për ato mote të shkuara, të kohës së Ilirisë e Dardanisë, e mbase edhe përtej atyre shekujve, për aq të kredhin në një rezignacion e përpëlitje shpirtërore, por jo pa shpresë, si te poezitë: “Lutje mërgimtari”, “Në ditën e refugjatëve”, “Shpirtit mërgimtar”, “Refreni i një azilkërkuesi”, “Purgator ëndrrash”, “Me trup e shpirt”, “Një shpresë diku na pret”, “Me mallin e këngës”, “Rruga e zemrës”, në të cilën Izeti shprehet kështu:
“Mallëngjyeshëm m’pret vendi im
Atje ngushëllohem me t’parin takim (f. 49), si dhe poezitë për atdheun e vendlindjen: “Drejt Kosovës…n’Kosovë”, “Erdha”, “Në tokën e shenjtë arbërore”, që janë të një natyre e motivi me disa nga poezitë e pjesës IV: “Tokës iliro-dardane” (83), “Intermeco Prizreni”, (f. 97), si vendlindje e dytë e autorit tonë, ku edhe mori mësimet e para të profesionit të tij, “Vendlindjes sime (Roganës, f. 98) etj.
Lexuesi ynë, po pati vullnetin e mirë dhe kërshërinë për të kënaqur zemrën e shpirtin, duhet të shfletojë, poezitë e pjesës së III, ato të cilat, s‘ka poet të ri, por edhe të moshuar, si te rasti me Izetin, i cili, (brenda faqeve 55-80), i mërzitur në mërgatë, gjen prehje dhe infuzion relaksimi, duke i kënduar dashurisë së dëlirë, si te këngët: “Shtegu i dashurisë” që do “një përqafim // për t’i dhënë jetës kuptim”, “Më lejoni”, “Dua ta di… “, “Para teje stepem”, “Nën erën e lisave”, Këngë përmallimi”, “Kallinjë mbi gërshetat e tua”, “Lermë në përqafimin e saj” etj., duke e përmbyllur këtë cikël poezish me poezinë “Në zemrën time ke folenë”, kushtuar bashkëshortes së vet të devotshme, të cilës i drejtohet me vargjet:
ˮ… Se të dua si sytë e ballit
bukuroshe plot madhështi
zemra zemrës i kërkon
të jemi tok deri n’përjetësiˮ
Gati të gjitha këto poezi janë shkruar në SHBA, kryesisht në Nju Jork dhe në Bronx NY, ku edhe e kanë djepin e tyre, në harku kohor 2018-2023, meqë një kohë të moshës së vet Izeti e kaloi pas 77 bjeshkëve, në Amerikën e largët.
Poezi me motiv patriotik e nostalgjik, të cilit motiv duket se autori nuk mund t’i ndahet aq lehtë, ndeshim edhe në sythin e katërt (e ndonjë edhe te pjesa VI), si te poezitë: “Tokës iliro-dardaneˮ, në të cilën, me një ton kritik, sa për të parët tanë, po aq edhe për këta të ditëve tona, Izeti shpreh mllefin që e gulçon:
“T’katanisur varg e vi,
mbetëm pa e bërë tok
një shqiptari…”
Në faqet e kësaj vepre autori s’ka lënë pa pikasur dhe kushtuar nga një poezi disa prej figurave eminente të kombit, si: trimëresha jonë e paepur, Teuta, kryetrimi ynë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, trimi sakrifikues, Oso Kuka, Skënderbeu i Ri, siç e quan Izeti Adem Jasharin, ashtu si dhe sypatremburit: Shaban e Hamzë Jashari, ish presidenti historik, Ibrahim Rugova, artisti me famë botërore – Bekim Fehmiu, kompozitori ynë i madh, Rexho Mulliqi, vigani i kauzës kombëtare, martiri i pavdekshëm i lirisë, Metush Krasniqi, poeti – disident e i burgosuri në burgun famëkeq të Idrizovës, Fadil Bekteshi etj.
Poezitë e Izetit janë autentike, ndodhin në sferën e shpirtit tonë, artikulojnë fjalën, ngjyrën dhe tingullin e freskët, bashkëkohor lirik. Aspektet estetike të poezisë së tij të angazhuar nuk u shtrohen kërkesave të ngushta utilitariste, sepse dalin lirshëm nga horizontet e çliruara të brendshme të përsiatjeve e nga projektimet personale të vetëdijes së tij socio-poetike. Ritmi i brendshëm i së përditshmes është në këto vargje, në të cilat trajtimi i thjeshtë, por jo edhe i thjeshtësuar poetik, zbulon thelbin e pasur me shtresat e materies poetike, sintetizimin e efektshëm të rrërfimit.
Në përmbledhje poetike “Frymë atdhe-dashurie”, Izet Kallaba, pos gjuhës së pasur, të pastër letrare e gjuhësisht të shkruar drejt (me ndonjë lëshim të rrallë, si te rastet: do treten, f. 7, shtegëtim, f. 8, n’atdhe kemi me ardhë, f. 43…), ka përdorur edhe disa nga figurat themelore stilistike, si: personifikimin, paralelizmin figurativ, krahasimin, alegorinë, hiperbolën, shpirtëzimin etj., si dhe ndonjë nga tropet: metaforën, metoniminë, ironinë, epitetin etj., të cilat mjete, sigurisht, vetëm sa i shtojnë edhe më tepër vlerën veprës së tij. Është për të vlerësuar, po ashtu, shembullin e tij për “ringjalljen” e disa fjalëve të bukura, të cilat gati sa nuk na kanë ikur nga kujtesa jonë, si p.sh.: hirësi – për bukuri, hijeshi; sutë – për drenushë, fig. vajzë e hijshme dhe e shkathët; e urtë, e butë; nartë – për i/e kulluar, i/e kthjellët; delir – për kllapi, jerm etj.
Si përmbyllje, poezitë e marra në shqyrtim, të përmbledhura në veprën e tij të parë poetike “Frymë atdhe – dashurie”, herë-herë me plot vegime, ëndërrime e shpresë, të shprehura me imazhe dhe asociacione poetike ose me trajta të thukëta aforistike-mendimore, do të tërheqin gjithsesi vëmendjen e lexuesit tonë. /2LONLINE/