Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ndalesën e radhës në Komunën e Kamenicës e pati në fshatin Hajnoc, që banohet me shumicë serbe, me rastin e vënies së gurthemelit tek ura për këmbësorë. Aty u mirëprit nga përfaqësuesi i fshatit Radovan Antiq dhe banorë të fshatit.
Rregullimi i urës për këmbësorë, e cila kalon mbi lumin Morava, që lidh fshatin Hajnoc me qytetin dhe fshatrat e tjera, ka qenë kërkesë e banorëve që jetojnë aty. Për realizimin e këtij projekti, Komuna e Kamenicës ka ndarë mbi 85 mijë euro.
Gjatë inaugurimit kryeministri Kurti, u shpreh se janë të interesuar që t’i ndihmojnë sa më shumë qytetarëve, pasi që sipas tij, ata e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre me punë të ndershme, me angazhim qytetar, por gjithashtu edhe me këtë bashkëjetesë që është shembull për mbarë Kosovën. Ai falënderoi kryetarin Rahimaj dhe ministrin Rashiq për punën dhe angazhimin në adresimin dhe realizimin e kësaj kërkesë të drejtë dhe nevoje të banorëve të këtij fshati.
Radovan Antiq, banor i fshatit, teksa u shpreh falënderues për projektin në fjalë tha se urat janë të rëndësishme për ne, sepse ato bashkojnë njerëzit e fetë e bashkojnë të gjithë njerëzit qëllim mirë.
Ndërkaq, ministri Rashiq theksoi se kryeministri Kurti ka treguar gjithmonë gatishmërinë dhe vendosmërinë për të ndihmuar në të gjitha problemet e sfidat e qytetarëve tanë dhe falënderoi banorët e fshatit për nismën e tyre e kryetarin e Komunës për bashkëpunimin e ngushtë.
Për urën kryesore, krahas kësaj për këmbësorë, që do të lidhë fshatin Hajnoc me qytetin dhe fshatrat tjera përreth, foli Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, i cili njoftoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht ministria e Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës, tashmë ka ndarë 700 mijë euro dhe tha se shpreson që gjatë këtij viti të ecin mbarë procedurat e prokurimit, ashtu që ndërtimi të mund të filloj sa më parë. /2LONLINE/