Qytetarë të Velekincës së Vjetër të Gjilanit, i kanë adresuar një reagim Komunës së Gjilanit, përkatësisht kryetarit të komunës, Drejtorisë së Shërbimeve Publike, por edhe Bashkësisë Islame të Gjilanit, përmes të cilit kanë shprehur shqetësimet e tyre, siç thonë, për uzurpimin dhe vendosjen kundërligjshëm të varrezave në një hapësirë publike afër shkollës së fshatit.
Madje ata i janë adresuar me peticion kryetarit të Komunës për të shprehur shqetësimet e tyre për iniciativën e qytetarëve të Velekincës së Epërme për caktimin e lokacionit në fjalë për varreza të fshatit, me të cilin lokacion këta nuk pajtohen.
Në një shkresë që grupi i qytetarëve të Velekincës së Vjetër ua kanë shpërndarë edhe mediave thuhet se një veprim i tillë ku, sipas tyre, është uzurpuar, një hapësirë publike afër shkollës, është vendosur edhe rrethoja afër rrugës kryesore me qëllim që ai vend të shërbeje për varreza, është bërë pa kurrfarë miratimi nga organet kompetente dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe rregulloret komunale përkatëse.
Për më tepër, tani së fundi, siç thuhet në reagim, aty është kryer edhe ceremonia e parë e varrimit.
Përmes këtij reagimi, këta qytetarë të Velekincës së Vjetër, thonë se janë të indinjuar për mos reagim, të institucioneve komunale, mos marrje të veprimeve konkrete, por ata janë shprehur të indinjuar edhe ndaj KBI-së në Gjilan.
“Për hir të korrektësisë dhe sinqeritetit, ne qytetarët e Velekincës së Vjetër jemi plotësisht të vetëdijshëm se kjo lagje e fshatit ka problem me vend për t’i vendosur varrezat e tyre, por ne në asnjë mënyrë nuk do të pajtohemi që kjo çështje e tyre të zgjidhet në kurrizni tonë dhe në vazhdimësi do të kundërshtojmë fuqishëm që të mos lejojmë që edhe m tutje të vazhdohet për t’u varrosur kufomat tjera në këtë vend”, thuhet ndër tjerash në reagimin në fjalë, të nënshkruar nga qytetarë të Veleincës dhe përfaqësuesi i tyre Skender Bajrami.
Përndryshe, edhe në peticionin dërguar kryetarit të komunës shprehet shqetësimi në fjalë.