Të nderuar qytetarë,
Unë jam Vehbi Salihu dhe kam marrë besimin e Aleancës Kosova e Re (AKR) që të garoj për Zgjedhjet Komunale 2017 me qëllimin parësor të përmirësimit esencial të qeverisjes së komunës në katër vitet ardhshme.
Vizioni im për të kontribuuar në këtë drejtim bazohet në pesë shtylla kryesore: (1) Fuqizimin e rolit të Kuvendit të Komunës në vendimmarrje, (2) Forcimin dhe profesionalizmin e administratës komunale, (3) Përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në vendimmarrjen komunale, (4) Përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike përmes rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha fazat e ofrimit të shërbimeve, dhe (5) Zhvillimin ekonomik lokal përmes nxitjes së ndërmarrësisë, inovacionit, zhvillimit rajonal dhe zhvillimit rural. Platformën time politike të titulluar “Zotimi im për…” do ta ndaj me ju në disa vazhdime, ditë për ditë, duke shkoqitur në mënyrë koncize dhe të drejtpërdrejtë pikëpamjet e mia për përmirësimin e qeverisjes në komunën tonë.
Unë ju garantoj se kam të gjitha kompetencat profesionale, njerëzore, por edhe përkushtimin dhe motivimin e duhur për të realizuar objektivat e mi dhe të subjektit politik që përfaqësoj. Karriera ime profesionale dhe politike është ndërtuar me kujdes dhe duke kaluar nëpër shkallët e nevojshme për të arritur një nivel maturimi për një përfaqësim dinjitoz.
Nga këndvështrimi akademik, jam mbajtës i diplomave Bachelor dhe Master i Shkencave në lëmin e elektroteknikës dhe energjetikës. Për 6 vjet kam shërbyer në shkollën e mesme teknike në Gjilan si ligjërues i lëndëve të elektroteknikës dhe energjetikës, për të kaluar më pas në distribucionin e ElektroKosovës së atëhershme në cilësinë e Udhëheqësit të Sektorit të Zhvillimit.
Nga viti 2002 deri në vitin 2005 kam kryer funksionin e drejtorit rajonal të distribucionit që përfshinte komunat Gjilan, Kamenicë dhe Viti. Në vitin 2005 jam emëruar në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Marrëdhënie me Konsumatorë në nivel qendror në Prishtinë – në përfshirje të të gjitha distribucioneve rajonale. Në vitin 2007, brenda të të njëjtës organizatë, jam kthyer në Gjilan dhe që nga atëherë kam shërbyer si udhëheqës në disa njësi shërbyese.
Angazhimi im politik filloi në vitet 1990 në nivel të degës lokale së LDK-së në Gjilan, për të përfunduar në pozitën e nënkryetarit të degës. Përfaqësimi im politik në kuvend rezulton në katër mandate, kurse në tre raste edhe në Këshillin e Ekspertëve Komunal – në dy prej të cilave edhe në cilësinë e Kryesuesit. Për një periudhe të pushimit nga veprimtaria politike, jam marrë me veprimtari bamirësie përmes të qenit anëtar aktiv dhe në funksion drejtues të Klubit Rotary në Gjilan.
Jam i martuar dhe kam dy fëmijë.
Me respekt,
Mr. Sc. Vehbi Salihu
Sponsorizuar nga Vehbi Salihu