Një qytetar nga Malisheva e Gjilanit ka ndërruar jetë pas lëndimit që kishte pësuar aksidentalisht derisa ishte duke punuar, njoftojnë autoritetet policore.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se, për rastin, stacioni Policor i Gjilanit, ishte njoftuar nga Qendra e Emergjencës ku fillimisht, tani më i ndjeri, I. S. (1967), ishte dërguar me lëndime të rënda, e ku pas kontrollit me urgjencë ishte dërguar në QKUK në Prishtinë, por edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve, ai kishte ndërruar jetë, si pasojë e lëndimit aksidental.
“Nga hetimet e kryera besohet se i ndjeri gjatë kohës sa po punonte në shtëpi, me mjetin e tij të punës, (prerëse), në mënyrë aksidentale vjen deri tek thyerja e diskut rrotullues prerës dhe për pasojë kishte rezultuar me plagë të thellë vetëlënduese në pjesën e majtë të regjionit të qafës”, ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani.