Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj së bashku me drejtorë komunal e zyrtarë, bashkë me qytetarë nga Kamenica, përgjatë dy ditëve kanë qenë pjesë e punëtorisë së radhës në kuadër të projektit për Kontratën Sociale e cila po realizohet në bashkëpunim me USAID.
Nisur nga fakti se Kontrata Sociale në parim ka buxhetimin e projekteve me pjesëmarrje duke bërë kështu qytetarët pjesë të vendimmarrjes, në këtë punëtori Kryetari Rahimaj dhe ekipi i tij së bashku me qytetarët e pranishëm, kanë konkretizuar çështjet të cilat do të realizohen në kuadër të këtij projekti.
Kontrata Sociale do të ndihmojë financiarisht realizimin e dy projekteve të përzgjedhura nga vetë qytetarët me anë të votës, por edhe do ta lehtësojë gjithë procesin e punës përgjatë realizimit.
Në mesin e më shumë se njëzet nismave e ideve të dhëna nga qytetarët e zyrtarët komunal, në kuadër të këtij bashkëpunimi janë votuar dy ide si më të rëndësishmet, të cilat përqafojnë kriteret e vendosura nga USAID dhe kanë përfitues direk vetë qytetarin.
“Jam shumë i lumtur dhe entuziast që po vazhdon bashkëpunimi me USAID, dhe se Komuna e Kamenicës është pjesë e këtij projekti. Për ne, e rëndësishme është që secili projekt që votohet, të jetë për qytetarët e në të mirë të tyre”-ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ai ka shtuar gjithashtu se Komuna e Kamenicës është e gatshme që të kontribuojë edhe më tutje, si mbështetja financiare, nëse ekziston nevoja për diçka të tillë, për secilën ide e cila mund të inicohet këtu.
Kontrata Sociale është një projekt, pjesë e të cilit janë gjithsej 10 komuna nga Kosova. /2LONLINE/