Policia e Kosovës, në këtë rast Departamenti i Burimeve Njerëzore në bashkëpunim dhe përkrahje nga OSBE-ja, ka vazhduar me punëtoritë sensibilizuese lidhur me konkursin e hapur për zyrtarë policorë, për të gjitha komunitetet në Kosovë, konkurs ky i cili vazhdon të jetë i hapur deri më 30 maj 2023.
Punëtoria e radhës është mbajtur sot, në zonën e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, e cila është udhëhequr nga kolonel Hilmi Pacolli dhe kolonel Agron Rukiqi, ku prezent ishin edhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar për aplikim, e që ju përkisnin komunave të ndryshme nga DRP Gjilan.
Kjo punëtori dhe fushatat e tjera sensibilizuese “Bëhuni pjesë e Policisë së Kosovës”, u janë adresuar të gjithë qytetarëve të komuniteteve pakicë, për t’i informuar lidhur me konkursin, procedurat, kriteret dhe njëherit për t’i inkurajuar që t’i bashkohen Policisë së Kosovës, si njëri prej institucioneve më të besueshme dhe transparente në vend.
Policia e Kosovës i shërben të gjithë popullit të Kosovës, shërbimi ndaj vendit dhe komunitetit është mision fisnik, ky shërbim ofron mundësi të barabarta të punësimit për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe mirëpret aplikacionet nga të gjithë personat e gjinisë mashkullore dhe femërore nga të gjitha minoritetet në Kosovë. /2LONLINE/