Ta duash natyrën është ta duash vetveten. Çdo aktivitet për të promovuar bukuritë natyrore që ka vendi ynë, për të ngrit zërin kundër degradimeve dhe për të kërkuar mbrojtjen e ambientit janë më se të mirëseardhura.
Dhe, kur këto bëhen edhe me një dozë kreativiteti artistik, kjo të bënë për me e shijue atë aktivitet, por edhe për me e shtue dashnin që njeriu duhet me e pas për natyrën, ambientin që na rrethon, për tërë ato bukuri natyrore me florë e faunë, që është pjesë e jona dhe ne jemi pjesë e saj, shkruan Portali 2LONLINE.com.
Njëri ndër aktivitetet e projektit të fundit që po e realizon organizata kulturore joqeveritare “Varg e Vi” është edhe ai i realizuar në Stanishor të Novobërdës, e quajtur “Ecja e shëndetshme” (“Healthy Walk”),
Ecja në natyrë, në shtegun e përcaktuar, duke i shijuar të gjitha ato bukuri që na i jep pyllnaja në këtë fshat e bënë eksplorimin vërtetë magjeps dhe admiruesve të natyrës ua shton gjallërinë e dashninë për të bukurën. Por, duke parë edhe doza të degradimit, atëherë ky aktivitet e shton edhe ndjeshmërinë, nevojën e vetëdijesimit, por edhe një rebelizëm… e çdo që merr kuptim të plotë veçmas kur kemi edhe intervenime të lehta artistike nga pjesëtarët e organizatës “Varg e Vi”, për me i fuqizua synimet.
Ecja eksploruese shoqërohet edhe me a audio-dokumentarin që e dëgjojnë përgjatë rrugës, me të cilin shëtisim në historinë e bukur të Stanishorit, të kësaj ane. për të bërë që kjo shëtitje shtegut të pyllnajës, vërtetë ta merr epitetin që e ka paraparë organizatori, “Healthy Walk”.
Por, po ashtu vihet në pah edhe prerja e pyllit, ndotja akustike, pluhuri i gurthyesve të shumtë, të dëmshme si për jetë njerëzish, po ashtu edhe për florën dhe faunën dhe domosdoshmërinë për të luftuar kundër këtij degradimi, për ta ruajtur identitetin e pyllit, që të mëtojmë ecje të shëndetshme, shtegut të ecjes e të ushtrimeve.
Ndërkohë që edhe vendosja e tabelave orientuese në shtegun e ecjes në pyllnajën e fshatit Stanishor është më se e qëlluar. Po ashtu përkujdesja për vendpushimet. për admiruesit e natyrës, minibiblioteka me libra, e veprime të tjera, janë pjesë të rëndësishme të këtij aktiviteti.
Në anën tjetër, vlerësohet e qëlluar edhe vendosja e fotografive në lisat e prerë, të fotografit, të pasionuarit në botën e zogjve, Arian Mavriqit, që përçonin mesazhin e ikjes së zogjve, në rast se i presim drunjtë, ua prishim shtëpizat, dëmtojmë florën e faunën e kësaj pjese…, për të rrezikuar kështu ta prishim edhe harmoninë me ekosistemin, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Për të parë më shumë fotografi nga ky aktivitet dhe për të dëgjuar audio-dokumentarin KLIKONI K Ë T U
Përndryshe, ja se çfarë shkruhet në faqen zyrtare të kësaj organizate në lidhje me projektin “Healthy Walk”.
***
Ecjet janë e kundërta e ndaljes. Kur ecim, gjithçka qarkullon më mirë dhe më shëndetshëm, dhe kthehet nga moçali në Lum Stanishori. Por gjatë ecjes, mund të përjetojmë edhe monotoni, nëse nuk shohim peizazhe të bukura. Në pyll, ne ecim për të parë jetë gjallesash. Ecja bëhet e shëndetshme, vetëm kur kënaqim sytë me pishat e Stanishorit dhe kënaqim veshët me cicërimat e zogjve për komunikimin e tyre të brendshëm, kontrollin e territorit dhe çiftëzimin.
“Healthy walk” integron ecjen në shteg, duke çelur sytë nga natyra me gjelbërim e lisa ngjyrë kafeje dhe me intervenimet e lehta artistike nga Varg e Vi, duke mos e konkurruar dorën e natyrës. Me fotografitë artistike nga fotografi i botës së egër, duke i vendosur mbi lisat e prerë, ne trondisim audiencën se si një prerje druri, ka detyruar shtegtimin e zogjve nga pyllnaja e Stanishorit për një jetë më të mirë, diku tjetër. Një dru, një kasolle për zogj. Një prerje druri, shkakton ikje masive zogjësh. Me audiodokumentarin që dëgjojmë gjatë rrugës, shëtisim në historinë e Stanishorit me stane e kullosa, refuzojmë dhe rezistojmë ndaj pluhurit të bardhë nga gurëthyesit e shumtë që prishin jetë njerëzish, florën dhe faunën. Ky projekt mëton ecje të shëndetshme në pyll, vetëm duke e ruajtur identitetin e pyllit dhe e lufton qethjen e pyllit, ndotjen akustike dhe pluhurin e bardhë të gurëthyesve.
“Healthy walk” është në anën e biodiversitetit, duke e bërë betejën për të krijuar ikona “recycle bin”, për reduktim, ripërdorim dhe riciklim, përmes kreativitetit artistik, dhe duke thirrur për ekoqytetari dhe ekoart. Jemi në anën e Stanishorit të gjelbër, kundër Gllamës së pluhurit të bardhë.
Ky aktivitet implementohet në kuadër të projektit “Healthy Walk”, i cili është përfitues nga projekti “Empower – Engage – Build Ownership”, i financuar nga fondet e Bashkimit Evropian, të menaxhuara nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, mbështetur nga Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), si dhe implementuar nga “Varg e Vi”. /2LONLINE.com/