(2L ONLINE) – Shoqata “Psikoterapeutët në Veprim” ka hapur të mërkurën në Gjilan fushatën 16 ditore kundër dhunës në baza gjinore, që ka moton “Siguria fillon në shtëpi, paqe në shtëpi, paqe në botë”. Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se i vjen mirë që gratë e Gjilanit nuk po ndalen duke punuar për përmirësimin e pozitës së tyre dhe ka premtuar përkrahjen e institucioneve komunale për aktivitetet që kanë për qëllim avancimin e barazisë gjinore në shoqëri.
Realisht në Gjilan dhe Anamoravë është krijuar një klimë dhe një ambient i mirë për nënat, për motrat tona dhe për fëmijët tanë, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke shtuar se barazia gjinore, realisht fillon prej familjes.
“Qytetarët janë vetëdijesuar tashmë se djali dhe vajza janë të barabartë në familje. Në familje krijohet baza e kulturës ndaj barazisë gjinore dhe kjo vlerë pastaj bartet edhe në shkollë, rreth jetësor dhe kudo në shoqëri”, ka thënë ajo.
Debatet e tilla janë të nevojshme për të ndikuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore në kuptimin e respektimit të njëri-tjetrit dhe përjashtimit të dhunës ndaj secilës gjini.
Përndryshe, Bunjaku-Rexhepi ka marrë pjesë edhe në promovimin e një doracaku për strehimoret e viktimave të dhunës në familje, të organizuar nga Shoqata “Liria”, ku ka thënë se dëshira jonë është që në Kosovë të mos ketë asnjë rast të dhunës në familje.
Ndërkaq, Sevdie Haziri-Musliu, drejtoreshë e Shoqatës “Psikoterapeutët në Veprim” tha se qëllimi i kësaj fushate është sensibilizimi i popullatës që dhuna në baza gjinore nuk është e pranueshme. Gjithashtu përmes kësaj fushate, tentohet vetëdijesimi i personave që kanë përjetuar dhunë në familje, që t`i adresojnë problemet e tyre në organet përkatëse si në Polici, Qendër për Mirëqenie Sociale dhe Strehimore.
Ajo ka thënë se ky projekt, që financohet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë, do të përfshijë komunat Gjilan, Kamenicë, Viti, Ferizaj, Novobërdë, Ranillug si dhe fshatin Shillovë dhe do të zhvillohet në bashkëpunim me organizata tjera të shoqërisë civile.
Kontributet e tyre në këtë debat i kanë dhënë edhe Drita Klaiqi, zyrtare për barazi gjinore, Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punës Sociale, Elmina Mahmuti, komandante e Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Nebojsha Simiq nga shoqëria civile dhe të tjerë. /2L ONLINE/