Unioni i Studentëve Pro Europian ka reaguar ndaj arrestimeve të sotme të studentëve dhe të përfaqësuesve të shoqërive civile si dhe në të njejtën kohë që protestuesit të mos përdorin dhunë. Më poshtë po e paraqesim deklaratën e USPE-së.
Unioni i Studentëve Pro Europian bazuar në zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, kërkon nga të gjitha organet kompetente që të ndërmirren masa urgjente për të dalë nga situata jo-normale e krijuar këto ditë të protestave.
Duke analizuar në përpikmëri situatën apelojmë te të gjitha partitë politike në vend, në kuvend dhe jasht tij, pozitë dhe opozitë që të mos trajtojnë Universitetin e Prishtinës si organ në të cilin duhet të shprehet mllefi partiak e politik i krijuar në mes të taboreve politike, por që të diskutojnë përmbajtësisht dhe të dalin me një koncensus të plotë, që vendi i dijes dhe shkencës të jetë i paprekur partiakisht e në këtë mënyrë të prodhohet një zgjidhje afatgjate e paprekshmërisë partiake në të ardhmen në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Unioni i Studentëve Pro Europian kërkon nga komisioni i themeluar nga senati i UP-së që të fillojë punën e tij sa më parë dhe të dal me rezultatet e para të tij, e në këtë mënyrë të pastroj tërë këtë mjegull e cila është krijuar.
USPE ka formuar një komision i cili ka filluar të rishikojë ligjin mbi arsimin e lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës në mënyrë që të paraqesim rekomandimet tona në organet përkatëse për ndryshimin dhe plotësimin e këtyre akteve juridike.
Shprehim shqetësimin tonë edhe për protestën e sotme, rrugën se si vijoi dhe lëndimet e arrestimet që ndodhën.
Bëjmë thirrje të gjitha palëve pjesmarrëse në protestë që ato të mos jenë të dhunëshme dhe të jenë të kontrolluara, ndërkaq Policisë së Kosovës i bëjmë apel që të liroj sa më parë të gjithë të arrestuarit studentë dhe anëtarët e shoqërisë civile duke përfshirë dhe z.Ilir Deda Drejtorin e Institutit KIPRED.