Përmendorja që po quhet shpesh edhe “Ushtari i panjohur”, e që tani më është zhvendosur në parkun e qytetit, dhjetëra metra larg vendit ku ishte deri ditë më parë, e ku aty tani planifikohet të vendoset shtatorja e Idriz Seferit, përveç që është bërë temë e medieve, sidomos atyre sociale, ka nxitur pakënaqësi edhe te një grup i qytetarëve që kanë ndërmarrë edhe hapin e nënshkrimeve të peticionit, e po ashtu ka tërhequr vëmendjen edhe të personaliteteve të ndryshme që po deklarohen pro et contra.
Në mesin e tyre, është edhe ish kryetar i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa që është njëri ndër kritikët e largimit të përmendores, në variantin që e ka bërë komuna e Gjilanit, përkatësisht drejtuesit e saj,
Fillimisht, në një reagim të mëhershëm në profilin e tij në Facebook, ish kryetari Mustafa pat shkruar:
Pleqtë tanë thoshin “çka t’nish’ mos u çudit”!
NUK MUND TA BËSH HISTORINË AS KULTURËN SIPAS SHIJES TËNDE DUKE E PËRDHOSUR APO MBULUAR HISTORINË E KULTURËN E PARARENDËSVE TU. BËHET HISTORI E KULTURE PA SHIJE, BËHET E PAKULTURUAR.
Ata që e përdhosin historinë e të parëve (bile, qoftë ajo sado e dhimbshme, fyese, jokrenare e trishtuese), do të jenë vet me histori të cunguar.
Këtë përmendore (që ishte e vetmja trashëgimi e këtij lloji për historinë e mesit të shekullit të kaluar në këto hapsira) nuk e rrezoi përtokë populli i Gjilanit në vitin më kritik e më frustrues 1999 kur, me plotë të drejtë e rrëzoi atë të Car Llazarit.
Sot, me sa di une, pa vendim te kuvendit pra, pa vullnetin e popullit e paskan rrezue nje grusht njerezish me bastardin Lutfi Hazirin ne krye.
Po get ka fillue lufta e njohur e përmendoreve të Kadaresë por tashme jo ne qender te Tiranes po kendej ne anet tona?!.
Më pas ish kryetari Mustafa, përmes një postimi tjetër, po në profilin e tij, sërish shkruan për “ushtarin e panjohur” dhe më shumë…
Mustafa shkruan:
MË SHUMË HISTORI PËR GJILANIN!
Ata që përherë ndërtojnë mbi rrënojat e së kaluarës së tyre, mbesin pa histori e pa trashëgimi. Ata mbesin pa të kaluar që shihet e preket. E të ardhmen e kanë të mjegulltë.
Ku është kulla e Gjinollëve?
Ku është sahatkulla?
Ku është shadërvani?
Ku është qarshia e vjetër e zanatlijve?
Ku është kalldërmi i vjetër?Nëse ata që na sunduan e zhbënë këtë trashëgimi për shumë vite dhe në heshtje sepse kështu e donte politika diskrimuese (edhe shovene) e tyre, çfarë po ndodhë me ne sot?
Permendoret, monumentet dhe cilado trashegimi tjeter e barte nje pjese te mire te identitetit tone te ngjizur e te bartur neper shekuj, mbi supet tona, deri sot.
Ato funksionojne ne kohe dhe ne hapsire.
Permendoret asnjëherë më nuk e kanë rëndësinë dhe vlerën që e kishin në hapsirën autentike. Ne hapsiren e re, mosha e tyre nisë e numron nga zero.Zhvendosja e tyre duhet te behet vetem atehere kur kjo eshte domosdoshmeri e shoqerise. Edhe ate vetem me pelqimin demokratik te saj.
Zhbërja dhe përdhosja e tyre është e patolerueshme. Bile, me ligj e dënueshme.E pyes vehten, ku eshte roli i shtetit ne kete çeshtje?
Çfare ka bere MKRS per keto 18 vite per evidentimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e permendores se “ushtarit te panjohur” ne Gjilan dhe te gjithe trashegimise tjeter?Nuk do te doja me besue se nuk ka qene fare ne listen e objekteve me vlere. Por, kur e mendoj kush e ka udheheqe kete ministri per shume vite, ben vaki edhe kjo, pse jo?!
Mustafa kishte vazhduar tutje me shprehje të pakënaqësisë edhe përmes postimeve tjera, për të ardhur deri te një postim që, sipas tij, ishte një propozim i tij për zgjidhjen e kësaj çështje:
Mustafa shkruan:
“Të shtyhet data e vendosjes së shtatores së Idriz Seferit. Anipse, me kete nguti te kreut te komunes dhe me kete akt befasues te heqjes se permendores se deritanishme, ka dashur me na sjelle ne ngushtice kohore dhe para aktit te kryer. Keshtu e kane AUTOKRATET.
Në ndërkohë, të nisë dhe të bëhet një diskutim i hapur shkencor, shoqëror e politik për temën e nisur dhe të sillen përfundime e rekomandime edhe per lokacionin edhe per ate se duhet te zhvendoset ose jo monumenti i vjeter.
Vendosja e shtatores mund të bëhet edhe me 17 Shkurt, në ditën e pavaresise tone apo ne diten e çlirimit te Gjilanit me 15 Qershor pa e zvetnuar aspak aktin dhe figurën e Idriz Seferit.
Nje shoqeri sadopak normale dhe e qete shpirterisht e politikisht, keshtu kishte me e bere.
Por, ajo që ka ngjall reagime në adresë të Mustafës ka qenë momenti kur, lidhur me këtë çështje, ai kishte “ngacmuar“ historianët e Anamoravës:
Ka mjaftuar një postim i shkurtër i ish kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, bërë në profilin e tij në facebook:
“A thue ku janë strukur historianët e Anamoravës more?”
që këta të fundit të “shpërthejnë” në një reagim të tyre.
Sidomos ata ishin prekur edhe nga një përgjigje e tij e mëpastajme përgjatë komenteve në atë postim.
Mustafa shkruan:
“Aha, pak i rashe n’fije. Disa i ka mare pleqnia para veti, disa me te ri jane akomodue mire ne strukturen e pushtetit permes partive e disa kurren e kurres skane lexue histori ama diplomen e kane. Do djeme te “Ali Hadrit” ishte dashte me e thene guximshem fjalen e vet. Se paku ne nderim te emrit te spikatur te shoqates?
Lidhur me këto, në adresën tonë ka ardhur reagimi i që ka bërë Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Gjilan, si më poshtë.
Apologjia “auto da fe” e Qemajl Mustafës dhe pluhuri mbi “Heroin e Pomoravles”
(Reagim ndaj shkrimeve të z. Qemajl Mustafa, ish-Kryetar i Komunës së Gjilanit, bërë ditëve të fundit në llogarinë sociale dhe në medie elektronike ndaj historianëve të Gjilanit dhe Anamoravës)
z. Qemajl Mustafa,
Shqetësimet individuale jo gjithherë arsyetohen kur pretendohet të bëhen gjithëpërfshirëse. Në rastin tuaj, mënyra se si pretendoni ta përfshini komunitetin e historianëve në debat për një çështje që ne e kemi dhënë fjalën më parë, konsiderojmë se është e gabuar për faktin se ironia, cinizmi dhe fyerjet e shoqërojnë diskutimin tuaj në profilin e llogarisë në rrjete sociale dhe në medie elektronike.
Ne nuk dëshirojmë të polemizojmë me individë apo grupe shoqërore joprofesionale, mirëpo, meqë “na tërhoqe me imponim” dhe duke mos pritur një qasje të tillë nga personaliteti juaj intelektual dhe politik, atëherë po përpiqemi të ju tregojmë se ku ndodhen historianët e Anamoravës, me theks të posaçëm “djemtë” e “Ali Hadrit”, të cilët me sa kuptojmë ne, nuk i keni vlerësuar, nuk i vlerësoni dhe as nuk i respektoni.
Së pari, më 13 maj 2010, kur e themeluam degën e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Gjilan, menjëherë pas disa ditësh (më 17 maj 2010) ju kemi drejtuar juve si Kryetar i Komunës së Gjilanit për mbështetje. Kërkesa jonë ishte ndarja e një objekti ose zyre për të realizuar kontributin tonë profesional dhe kombëtar. Deri në fund të mandatit tuaj si Kryetar i Komunës së Gjilanit ju kemi drejtuar me kërkesa zyrtare dhe jozyrtare, por kurrë nuk na keni dhënë përgjigje. Shikoni Arkivin e Komunës për atë kohë! Rrjedhimisht, disa takime i realizuam në mjedise të Fakultetit të Edukimit dhe pasi bëmë kërkesë me shkrim në organet e Fakultetit na u refuzua mbajtja e mbledhjeve nga drejtuesit e tij me arsyetimin se ndalohet çdo aktivitet i këtij lloji në mjedise universitare. Dhe, për dijeninë tuaj, “djemtë” e “Ali Hadrit” u detyruan të organizonin mbledhje në ndonjërën nga kafiteritë ose restorantet e qytetit. Me gjithë vështirësitë që u ballafaquan, “djemtë” e “Ali Hadrit” nuk e pushuan aktivitetin.
Së dyti, në fillim të vitit 2012, me rastin e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, “djemtë” e “Ali Hadrit” hartuan një projekt për shënimin e këtij jubileu edhe në Gjilan, duke organizuar simpoziumin shkencor me titull “Roli dhe kontributi i Gjilanit me rrethinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (1878-1912)”. Siç e dini edhe ju, kemi realizuar dy takime për të kërkuar mbështetjen e Komunës së Gjilanit, por në të dy takimet na keni refuzuar me arsyetimin se “nuk ka mjete”. Në rastin e tretë, me sa duket pas qëndrimit tonë kategorik ndaj këtij Projekti dhe pas “sugjerimeve nga lart” na keni thirrur në takim dhe pyetja juaj ka qenë “Sa para ju duhen për me realizu këtë simpozium?”. Mjetet për simpoziumin u gjetën. Me gjithë presionet për ndërhyrje në përzgjedhje të referuesve dhe vështirësitë të tjera, simpoziumi u realizua më 31 tetor 2012, madje u përgatitën materialet edhe për botim, por që nuk panë dritën e botimit për shkak të mungesës së mjeteve materiale. Atë ditë, pothuajse menjëherë pas fjalës përshëndetëse, ju keni lëshuar sallën e teatrit, duke dhënë mesazh se nuk jeni në gjendje të ndiqni punimet e simpoziumit, të cilat i nderuan profesorë nga e gjithë gjeografia shqiptare.
Së treti, “djemtë” e “Ali Hadrit” dhanë kontributin e tyre në Akademinë kushtuar Idriz Seferit, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Gjilanit, më 15 tetor 2012. Me këtë rast, Profesor Aliriza Selmani ka kërkuar që Idriz Seferit t’i ngrihet një shtatore në qendër të qytetit. Me gjasë ju kujtohet kur Profesori ju drejtua personalisht juve me këtë kërkesë. Siç e dini edhe ju, këtë Akademi e organizuat me qëllim zvetënimin paraprak të simpoziumit të 30 tetorit.
Së katërti, po këta, “djemtë” e “Ali Hadrit”, me gjithë vështirësitë objektive, nga 1 deri më 14 shkurt 2013, për nder të 5 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, organizuan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Kuizin e Diturisë nga lënda e historisë me titull: “Ta njohim historinë tonë nga lashtësia deri më sot”. Ky aktivitet u realizua me sukses.
Së pesti, “djemtë” e “Ali Hadrit” nga viti 2013 deri në më 2017 kanë dhënë kontributin e tyre profesional dhe madje kryesor në Këshillin Komunal për Vlerësimin e Meritave Historike e Shoqërore të Personaliteteve dhe Ngjarjeve nga Territori i Komunës së Gjilanit, Tërësia Etnike Shqiptare dhe më gjerë.
Së gjashti, “djemtë” e “Ali Hadrit” po ashtu kanë dhënë kontribut të veçantë gjatë punës së hartimit të Monografisë së Gjilanit dhe rrethinës, me gjithë cilësinë dhe të metat që e shoqërojnë atë.
Së shtati, “djemtë” e “Ali Hadrit”, përkundër vështirësive objektive dhe materiale, në “bashkëpunim” me Komunën e Gjilanit, më 17 shtator 2013, organizuan një sesion për Zonën Operative të Karadakut në luftën e UÇK-së. Siç e dini edhe ju, atë ditë mbahej e mbyllur dera e tetarit të qytetit “me urdhër nga lart” dhe mjetet për pagesën e kumtesave nuk u dhanë kurrë.
Së teti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, në fund të vitit 2013, për shkak të mungesës së një zyre, në mjedise të Universitetit Publik të Gjilanit, realizuan “ilegalisht” Kuvendin Zgjedhor dhe formuan Kryesinë e re.
Së nënti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, më 22 dhjetor 2014, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit kanë organizuar me sukses e kanë dhënë kontribut me kumtesa profesionale në Akademinë kushtuar 70 Vjetorit të Masakrës së Gjilanit 1944/1945.
Së dhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, më 15 tetor 2015, kanë marrë pjesë me kumtesa profesionale dhe kanë dhënë kontribut në Akademinë kushtuar Metush Krasniqit, të organizuar nga Komuna e Gjilanit.
Së njëmbëdhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, më 9 qershor 2016, kanë dhënë kontribut profesional, duke u paraqitur me kumtesa në Akademinë kushtuar Skifter dhe Kastriot Arifit.
Së dymbëdhjeti, duke konsideruar në gatishmërinë e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, për të bashkëpunuar dhe përkrahur komunitetin e historianëve, më 26 nëntor 2015, së bashku me Kryetarin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Profesor Fehmi Rexhepin, “djemtë” e “Ali Hadrit”, bënë kërkesë zyrtare në Komunë të Gjilanit për ngritjen e një shtatore të Idriz Seferit në Qendër të Qytetit. E njëjta kërkesë, më 17 tetor 2016 i është dërguar edhe Komunës së Prishtinës, por nga organet dhe drejtuesit e saj ende nuk kemi marr përgjigje zyrtare dhe jozyrtare.
Së trembëdhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, më 25 mars 2017, për nder të 170 vjetorit të lindjes dhe 90 vjetorit të vdekjes, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, organizuan Tribunën Shkencore me titull “Idriz Seferi – një jetë për Shqipëri (1847-1927)”. Për dijeninë tuaj, kjo Tribunë Shkencore u realizua me sukses.
Së katërmbëdhjeti, më 30 shtator 2017, me përkrahjen e familjes së Nuhi Berishës, për nder 56 vjetorit të lindjes së Nuhi Berishës, “djemtë” e “Ali Hadrit organizuan Tribunën Shkencore me titull: “Nuhi Berisha – jeta dhe veprimtaria atdhetare në Lëvizjen Ilegale Shqiptare në Kosovë (1961-1984)”. Për dijeninë tuaj, punimet e saj u realizuan me sukses.
Së pesëmbëdhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit”, përkundër angazhimeve nga jeta e përditshme, po përpiqen me gjithë vështirësitë materiale të përfundojnë të gjitha fazat e shkollimit si në ciklin e parë, në ciklin e dytë dhe në ciklin e tretë të studimeve. Për mbështetje në studime, “djemtë” e “Ali Hadrit” kanë parashtruar edhe kërkesa zyrtare në Komunën e Gjilanit, por sikurse nga ju dhe Kryetari i tanishëm, nuk kanë gëzuar përkrahje. Dhe, për dijeninë tuaj, “djemtë” e “Ali Hadrit”, vetëm për të kryer me sukses shkollimin e lartë janë detyruar të futen në borxhe e kredi. Paralelisht me këtë, “djemtë” e “Ali Hadrit” kanë dhënë kontributin e tyre profesional përmes pjesëmarrjes në konferenca, simpoziume, tryeza e akademi shkencore. Kanë publikuar artikuj, reagime e shkrime profesionale në revista shkencore brenda e jashtë vendit, në shtypin ditor dhe në medie elektronike. Përmes tyre kanë ndriçuar të kaluarën e Gjilanit, rrethinës, Anamoravës dhe gjithë trojeve shqiptare. Me kërkesë të “djemve” të “Ali Hadrit”, Presidenca e Republikës së Kosovës ka dekoruar me medalje figura historike nga treva e Gjilanit dhe Anamoravës. Duke vendosur kurora lulesh në varreza, “djemtë” e “Ali Hadrit” kanë nderuar heronj, dëshmorë, martirë, të rënë dhe viktima të lirisë dhe bashkimit kombëtar të popullit shqiptar. “Djemtë” e “Ali Hadrit”, me tërë aktivitetin e tyre janë bërë partner profesional në kalendarin e festave zyrtare të Komunës së Gjilanit, siç është “Flaka e Janarit” etj., dhe kanë krijuar autoritet profesional në organe adekuate komunale.
Së gjashtëmbëdhjeti, “djemtë” e “Ali Hadrit” respektojnë Statutin dhe Programin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës dhe nuk merren me çështje të lëvizjes ose zhvendosjes së shtatoreve në qytetin e Gjilanit, por japin kontributin e tyre përmes mendimeve e kërkesave profesionale, siç kanë bërë për Idriz Seferin, Mulla Idriz Gjilanin, Ramiz Cernicën, Kadri Zekën, Abdullah Tahirin etj.
Së fundi, Profesori i nderuar Skënder Rizaj, na ka lënë një fjalë të madhe në formë porosie për kujdes: “Gjatë gjithë jetës profesionale si historianë do të keni një vështirësi të madhe, sepse njerëz nga shtresa të ndryshme shoqërore si: agronomë, inxhinier, mjekë, ekonomisë, juristë, gazetarë etj., do ju flasin e do të përpiqen të ju mësojnë për histori dhe historiografi”. Pra, sikurse në rastin tuaj.
z. Qemajl Mustafa,
Ne, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, duke shprehur mirënjohje për të gjitha momentet që kanë karakterizuar gatishmërinë tuaj për bashkëpunim dhe duke shprehur zhgënjimin me ju për nënvlerësimet, presionet dhe refuzimet për bashkëpunim gjatë kohës sa ju keni drejtuar qytetin e Gjilanit, kërkojmë publikisht të distancoheni nga gjuha e urrejtjes, cinizmit, fyerjeve dhe insinuatave në drejtim të komunitetit të historianëve.
Gjilan, 6 nëntor 2017
Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan