Të nderuar besimtarë!
Vëllezër e motra!
Më lejoni t’u drejtohem me urimet e përgëzimet më të mira për fillimin e këtij muaji të veçantë për besimtarët myslimanë.
Agjërimi i muajit Ramazan është njëra ndër pesë shtyllat kryesore të fesë sonë, me të cilin besimtari shpreh përkushtimin, bindjen, sakrificën e dashurinë ndaj Krijuesit.
Për këtë, Allahu xh.sh., në Kuran thotë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani, ai është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues nga gënjeshtra). Prandaj, kush e arrin prej jush këtë muaj, le të agjërojë…”
Ramazani është muaj në të cilin filloi të zbres Kurani fisnik, është muaj i paqes, mëshirës e bamirësisë.
Këto vlera të muajit të bekuar Ramazan dhe ibadeti i agjërimit, marrin peshë edhe më të madhe në kohën tonë, kur njerëzimi ka nevojë më shumë se kurrë për mësimet dhe vlerat që jep agjërimi i Ramazanit.
Vëllezër e motra!
Edhe këtë vit, muaji Ramazan po na gjen në përballje me pandeminë Covid-19, me këtë rast, më lejoni që t’i përgëzojë të gjithë ata që janë në rreshtin e parë të përballjes me këtë virus. Lusim Zotin që të gjithë ata që kaluan në botën tjetër t’i marrë në mëshirën e Tij, ndërsa të infektuarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë, e të tjerët, Zoti i ruajt nga prekja me këtë virus.
Përveç kësaj, është obligim ynë që ta ruajmë veten, familjen e shoqërinë nga infektimi. Me këtë rast ftoj të gjtihë besimtarët që të respektojnë masat anti covid, me shpresë tek i Madhi Zot që shumë shpejt do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë të kohës me të cilën po përballet bota mbarë.
Të dashur vëllezër e motra!
Gjatë muajit Ramazan, duhet të bëjmë më të mirën e mundshme me ibadete, lutje, namaz, sadaka e solidaritet, me bindje e përkushtim, që ta arrijmë kënaqësinë e Krijuesit.
Duke ju uruar mbarësi e shëndet, të gjithëve ju dëshiroj që muajin e madhëruar Ramazan ta përjetoni me të gjitha mirësitë e tij, duke e lutur Zotin që të na lehtësojë agjërimin, dhe të na pranoj ibadetet tona gjatë Ramazanit.
Urime të gjithëve muaji Ramazan!