Albana Demiri, drejtoreshë e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), Gjilan.
Të dashur mësimdhënës!
Të qenit mësues, gjithnjë ka qenë mision sfidues.
Gjithnjë duhej e duhet pasur zemër plot dashuri për dijen e librin, për shkronjat e shkollën, për atdheun e të ardhmen e tij; për fëmijët që gjithmonë duhet parë si trashëgimia një shkallë sipër nesh.
Ndonëse të gjithë i dimë vështirësitë në botën e ngulfatur nga teknologjia dhe e kuptojmë se tani keni një detyrë edhe më të vështirë – t’i mundni edhe platformat sociale, ta mundni falsitetin e gënjeshtrën, mungesën e kontrollit.
Ju duhet t’ju ofroni një botë tjetër të rinjve, jashtë gënjeshtrës, mashtrimit, perversitetit e falsitetit që ka pushtuar botën bashkëkohore, duke rritur empatin, inteligjencen emocionale, vetrregullimin, sjelljen prosociale tek nxënësit.
Pos dijes e edukimit ju duhet të ofroni një ide reale mbi jetën e të jetuarit, mbi dijen dhe të qenit të suksesshëm. Mision aspak i lehtë, po me plot bindje e them se mësuesit tanë e shkolla jonë ka atë shpirt luftarak, atë dashuri zemre dhe atë besim mendjeje se do t’ia dalim që binarët dhe ecjen në ta, ta kemi andej kah shtrihet e domosdoshmja.
Më lejoni, me këtë rast ta shpreh gjithë falënderimin për përpjekjet, punën e përkushtimin tuaj. Më lejoni që gjithashtu t’ju kërkojë të qëndroni plot besim e të bashkuar në rrugën tonë përpara.
T’ ju ofrojmë fëmijëve tanë ardhmërinë dhe me këtë të garantojmë ardhmërinë e shkollës tonë, ardhmërinë e atdheut tonë.
Misioni ynë është ende atdhetar, pos iluminist- dituror. Le të vazhdojmë të bashkuar e me përkushtim; edhe më me përkushtim, edhe më të bashkuar.
Ju mundeni – ne mundemi – të bashkuar, të qartë e dinjitoz mundemi edhe më shumë.
Fundja, nuk e kemi zgjedhur arsimin pse kemi dashur të jemi të pasur.
E kemi zgjedhur sepse kemi dashur të jemi shpirtërisht të pasur – shpirtërisht të përplotësuar, prandaj le të pasurohemi edhe më shumë.
Gëzuar të dashur nxënës Dita e Shkollës Shqipe – rrituni siç ne ju duam, siç prindërit ju duan!
Gëzuar të dashur kolegë mësimdhënës! Qofshin zemrat tuaja të gëzuara me gëzimin që lexoni në sytë e nxënësve secilën ditë, secilin çast…
Gëzuar të gjithëve edhe ky përvjetor!
7 Mars 2024