Vendosa të shkruaj nga perspektiva e qytetarit të thjeshtë, i cili ballafaqohet çdo ditë me pamundësitë e të jetuarit normalisht, ashtu sikurse vepron çdo individ i shoqërive demokratike e të pavarura.
Florent Buca
Gjithashtu po shkruaj edhe nga perspektiva e personit që çdo ditë has në pamundësitë për t’u punësuar në profesion, pamundësitë për t’i marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore në mënyrë të drejtë, e shumë sfida të tjera…
Prandaj, “Mos hesht”, voto. Vota është një e drejtë të cilën zgjedh ta përdor për të kërkuar zgjidhje të reja për të tashmen dhe të ardhmen. Kjo është rruga më e sigurt për të vendosur ndryshime të qëndrueshme në shoqëri.
Mjeti kryesor i cili ka fuqinë e ndryshimit pa tronditje sociale, e në formë paqësore. Disa e mendojnë mosvotimin si një zgjedhje dhe zgjidhje , sepse duke mos votuar ata zgjedhin diçka , të qenurit indiferent dhe johipokrit.
Por a është mosvotimi zgjidhje për këtë popull?
Të mos votosh nuk është zgjidhje dhe as zgjedhje. Duke qëndruar në heshtje, duke mos votuar ne ia lëmë në dorë zgjedhjen një grupi militantësh, të cilët kanë të rrënjosur thellë ndjenjën për të votuar për partinë e tyre.
Duke ia lënë në dorë një grupi njerëzish të votojnë, në pushtet do të vijnë ata që kanë më shumë para e më shumë pushtet dhe jo të duhurit që do të sjellin ndryshimin e këtij vendi.
Dihet shumë mirë se sot votat blihen dhe kush drejton nuk është zgjedhur plotësisht nga populli, por nga ata të cilët janë shtypur dhe vazhdojnë të shtypen duke u detyruar të votojnë për kë paguhen.
Sot Kosova e Gjilani kanë më shumë se kurrë nevojë për votues te lirë, të pavarur qe nuk mendojnë si turma dhe mbi të gjitha janë të zgjuar, të kulturuar dhe vështirë për t’u korruptuar. ‘E keqja më e vogël’ siç thuhet edhe në popull, pra në përditshmërinë tonë, ndoshta më vonë do të sjellë ndryshimin.
Të votosh është e drejtë themelore e çdo shtetasi të Republikës së Kosovës. Kjo e drejtë është një nga të drejtat më të vështira të fituara në historinë e njerëzimit. Njerëz në botë kanë luftuar, protestuar, janë vrarë për ta fituar këtë të drejtë, ndërsa ne sot e shpërfillim dhe jemi indiferent ndaj saj. Vet populli ynë është privuar nga vota e lirë gjatë viteve të diktaturës.
Prandaj, sot prindërit dhe gjyshërit tanë dhe të gjithë ata që e kanë jetuar atë periudhë janë votuesit e rregullt të çdo zgjedhje elektorale. Duhet të votojmë që të jemi pjesë e demokracisë, të marrim pjesë në vendim-marrje dhe të kemi përfaqësues të denjë që do të mbështesin dhe do të paraqesin qëndrimin tonë. E si të ‘protestosh’- ankohesh kundrejt zhvillimeve e stagnimeve kur nuk je votues?
Në fund të fundit dhe ata përfaqësues politikë qe kemi, janë ata që ne i kemi vendosur aty me parë. I kemi fuqizuar, pasuruar, mbështetur dhe në fund themi se nuk kemi alternativa të mira për të votuar.
Të votosh do të thotë të jesh i përfshirë në vendim-marrje, do të thotë të zgjedhësh i pavarur dhe i lirë alternativën më të mirë që do të plotësojë objektivin final, zhvillimin e qytetit.
“Unë refuzoj të heshtë” dhe zgjedh të jem pjesë e vendim-marrjes..