Nga: Liri Salihu
Nuk qenka mjaftueshëm niveli im i shkollimit, puna dhe djersa ime për ty Kosovë.
Nuk qenka mjaftueshëm nota ime (5.0) në shkollën e mesme të mjekësisë.
Nuk qenka mjaftueshëm diplomimi im Bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina ” me notë mesatare (9.34).
Nuk qenka mjaftueshëm studimet në nivelin Master poashtu në Universitetin e Prishtinës me notë mesatare (9.54).
Nuk qenka mjaftueshëm se gjatë gjithë studimeve kam qenë bursiste si studente e dalluar.
Nuk qenka mjaftueshëm njohja e gjuhëve të huaja deri në nivel B1.
Nuk qenka e mjaftueshëm edhe përvoja ime si infermiere me doktorët më të mirë në rajon dhe më gjerë.
Kosovë , nuk paska qenë i mjaftueshëm vlerësimi i profesorëve në Universitetin e Prishtinës e për ironi në konkurse sikur këto në Spitalin e Gjilanit, unë përpara duhet ta kem një kryesuese të komisionit me nivel Bachelor Ekonomik, në Kolegj privat, e cila shumë mirë “ka ditur të bëjë kalkulimet” gjatë “vlerësimit” në intervistë!
Kosovë, unë kurrë nuk do të bëhem pjesë e pazareve dhe vegël e askujt për një vend pune, por padrejtësinë do ta luftoj dhe kundërshtoj.
Kosovë, unë pata edhe një shpresë për të qëndruar në vendlindjen time , të jap kontributin dhe dijen time që kam marrë nga institucionet arsimore tua.
Por këtë mundësi që nuk e pata unë shpresoj që në të ardhmen do ta kenë familja, kolegët e mi dhe e gjithë shoqëria e këtij vendi.
Kosovë, unë po nënshkruaj për të lënë ty sepse ma shuajtën edhe shpresën e fundit.
Kosovë, mua po më pret Europa por unë të prita ty!
Lamtumirë Kosovë