Njëzetë e katër studentë të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, respektivisht, të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike do të kenë mundësinë e trajnimit falas në fushën e IT-së, në programet të cilat nuk ofrohen gjatë studimeve në FSHK të UKZ-së e që do të jenë si njohuri shtesë.
Kjo është arritur falë memorandum mirëkuptimit të nënshkruar sot nga Prof. Asoc. Dr. Artam Dërmaku Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Beetroot Academy SH.P.K. përfaqësuar nga Merita Çeku dhe Kutia përfaqësuar nga Arianit Fazliu.
Sipas këtij Memorandum Bashkëpunimi të tre institucionet do të punojnë së bashku për të arritur qëllimet dhe objektivat e përcaktuara që të sigurojnë zhvillimin e të rejave të komunës së Gjilanit në fushën e IT-së, fushë kjo me interes të përbashkët që krijon mundësi pune dhe rritje të njohurive në këtë fushë.
Përmes programit “Women in Tech” synohet të ofrohen 24 bursa për studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, me fokus të veçantë në studentët e interesuar për të ndjekur një karrierë në teknologji.
Beetroot Academy do të ofrojë edukim dhe trajnime cilësore për 24 studente të përzgjedhura nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan përmes programeve të trajnimit në fushën e IT-së të cilat nuk ofrohen ne Programet Studimore ne Fakultet te Shkencave Kompjuterike, si mjet shtesë për përgatitjen e tyre në tregun e punës dhe të zhvillimit të karrierës;
UKZ do të përzgjedhë studentët e dalluara për të ndjekur trajnimet; do të sigurojë hapësira adekuate dhe të pajisura me kompjuterë ku studentet mund të ndjekin trajnime në fushën e IT-së; të ofrojë ndihmë teknike dhe logjistike për sigurimin e një mjedisi të përshtatshëm për trajnimet.
Kutia do të ofrojë 24 bursa për studentet e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të cilat do të përfshihen në programin “Women in Tech”, duke ofruar mbështetje financiare dhe mundësi për zhvillim profesional. /2LONLINE/