Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilani dhe Kolegji Universitar “Qiriazi” nga Tirana dje kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi gjatë një takimi zyrtar të mbajtur në Shqipëri. Marrëveshja, e cila u formalizua nga Rektori i UKZ, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, dhe Rektori i Kolegjit Universitar Qiriazi, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, synon të forcojë lidhjet akademike dhe ndërkombëtare ndërmjet dy institucioneve.
Marrëveshja parasheh krijimin e mundësive të reja për shkëmbime akademike dhe zhvillim të përbashkët projektesh. Studentët dhe stafi akademik do të përfitojnë nga programe shkëmbimi, bashkëpunime në fusha kërkimore dhe organizime të aktiviteteve të përbashkëta akademike, si konferenca dhe seminare.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për rritjen e cilësisë akademike dhe ndërkombëtarizimin e universitetit. Ai falënderoi Kolegjin Universitar Qiriazi për mikpritjen dhe shprehu bindjen se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të shumta për të dyja institucionet.
Nga ana tjetër, Rektori i Kolegjit Universitar Qiriazi, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj, e vlerësoi këtë partneritet si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e bashkëpunimeve rajonale në fushën e arsimit të lartë, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar në projekte dhe iniciativa të përbashkëta.
Marrëveshja mes UKZ-së dhe Kolegjit Universitar Qiriazi pritet të hapë horizonte të reja për të dyja palët. Studentët do të kenë mundësi të përfitojnë nga shkëmbimet ndërkombëtare dhe përvoja në një mjedis të ri akademik, ndërsa stafi do të ketë mundësi të bashkëpunojë në projekte të përbashkëta kërkimore dhe shkencore.
Ky partneritet është dëshmi e përkushtimit të dy institucioneve për të ngritur cilësinë e arsimit të lartë dhe për të kontribuar në zhvillimin akademik dhe shkencor në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. /2LONLINE/