UEFA është duke punuar për një sërë ndryshimet në sportin e futbollit. Jo vetëm rregulli i golit në fushë kundërshtare, por shumë risi të tjera që do të ndryshojnë perceptimin e tifozëve për lojën më të popullarizuar në planet.
Kongresi i UEFA-s në Romë kishte në tavolinën e punës shumë tema që premtojnë të revolucionarizojnë futbollin.
Shtrirja e sistemit të videoarbitrimit në Ligën e kampioneve nuk do të ndalet me kaq. Që nga sezoni i ardhshëm, në mega ekranet e stadiumeve do të sinjalizohen me informacione grafike, aktivizimi i teknologjisë.
Do të shfaqet gjithashtu episodi për të cilin është kërkuar ndihmë nga VAR. Por pas dy vjetësh kompeticionet kryesore do të bëhen thuajse të ngjashme me Super Bowl.
Arbitri kryesor do t’i shpjegojë në mikrofon spektatorëve dhe atyre që e ndjekin nga televizori, se cili ishte motivi i vendimit të tij, pse duhej të anulonte golin apo ta ligjëronte atë. Gjyqtarët praktikisht kthehen në ‘rockstar’. Për fanatikët e futbollit të vjetër, kjo po konsiderohet që tani një vrasje e lojës më popullore.
Ndërkohë që nga viti 2024 do të marrë jetë formati i ri i Champions League. Turneu i ri do të jetë si Euroliga e Basketbollit por në versionin e saj të futbollit, dhe do të bëhet me 4 grupe me nga 8 ekipe secili.
Kjo, për të mos ngjallur pakënaqësi tek FIFA e cila duhet të ketë nën ombrellë edhe interesin e vendeve të vogla pa pretendime për tituj.